Alarm në SHBA, dronë misteriozë në Nju Xhersi/ Senatorët amerikanë: Goditini dhe rrëzojini

14/12/2024 14:17

Disa dronë misteriozë që janë parë duke fluturuar natën mbi disa zona të Nju Xhersit por edhe pjesë të tjera ndërmjet shteteve verilindore dhe juglindore të vendit, kanë vënë në alarm anëtarët e Kongresit në SHBA.

Senatori demokrat Richard Blumenthal bëri thirrje që mjetet në fjalë pa pilotë “të goditen e të rrëzohen, nëse do të jetë e nevojshme”, teksa deri tani mbetet e paqartë se kush i zotëron ato.

“Duhet të bëjmë disa analiza shumë urgjente të informacioneve të inteligjencës, Këto objekte duhen eleminuar nga qielli ynë,  veçanërisht nëse fluturojnë mbi aeroporte ose baza ushtarake”, thotë ai.

Shqetësim në rajonin e Nju Jorkut ka ngjallur po ashtu fakti se dronët po fluturojnë në të njëjtën hapësirë ajrore me linjat komerciale tha ai.

Disa persona janë duke kërkuar më shumë transparencë nga administrata Biden lidhur me këtë çështje.

Shtëpia e Bardhë doli me pretendimin se shumë prej tyre në të vërtetë janë avionë me pilot që fluturojnë në mënyrë të ligjshme.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se nuk është zbuluar ndonjë përfshirje e një vendi tjetër.

“Ne nuk kemi asnjë provë për momentin që njoftimet për dronë të paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare ose publike, ose kanë një lidhje me ndonjë vend të huaj”, shprehet Kirby.

Zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh deklaroi se për çdo rast, objektet shqetësuese nuk janë dronë të ushtrisë amerikane.

FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftuan se ato dhe agjencitë partnere federalë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Shtetit të Nju Xhersit, janë duke verifikuar se për çfarë bëhet fjalë saktësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA