17-vjeçari, Ydai Xhafaj, tregon rrethanat e konflikt me moshatarin e tij në gjimnazin e Cakranit.
I plagosur në shpatull gjatë një sherri në oborrin e shkollës, në një intervistë ekskluzive për Top Channel, i mituri tregon se sherri nisi pasi në rrjetet sociale u shpërndanë disa foto tijat. Ai shprehet më tej se ndihet i rrezikuar.
“Sherri filloi për disa foto që po shpërndaheshin në rrjetet sociale, ishin fotot e mia dhe të shokëve të mi. Ky konflikt kishte nisur që para një muaji dhe ne kishim njoftuar oficerët e shkollës. Sot në mëngjes ndodhi që ai më qëlloi. Më gjuajti katër herë në shpatull, ndërsa profesoresha erdhi dhe na ndau. Ndihem i rrezikuar dhe kërkoj vetëm drejtësi“, thotë 17-vjeçari.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy nxënësve, që kishte nisur një natë më parë për shkak të një postimi në rrjetin social Snapchat. Autori i dyshuar i ngjarjes, i cili është identifikuar nga policia, ka pranuar se debati ka shpërthyer sapo ata kanë hyrë në oborrin e shkollës. Pas një shkëmbimi fjalësh, situata ka agravuar në dhunë fizike, duke çuar në përdorimin e thikës nga njëri prej të rinjve.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa autori i dyshuar është shoqëruar për marrjen e dëshmisë dhe për procedurat ligjore përkatëse.
Top Channel