Pas më shumë se dy dekadash vonesë qytetarët e Selanikut kanë tashmë metronë e tyre që sot, megjithëse jo në formatin përfundimtar.
Është metroja e dytë në vend pas asaj të Athinës që kishte filluar të funksionojë në vitin 2000, ndërsa vazhdon të zgjerohet edhe më shumë. Metroja e Selanikut pritet tu shërbejë në fazën e parë rreth 250.000 banorëve të qytetit 1 milionësh në veri të Greqisë.
Linja është ndërtuar përgjatë rrugës romake që dikur kalonte nëpërmjet qytetit 2300-vjeçar, që mban emrin e motrës së Aleksandrit të Madh.
Christos Staikouras, ministri i Transportit thotë: “Ishte një projekt që u vonua shumë. Është një projekt që gjithashtu ka pasur shumë vështirësi dhe pengesa, duke përfshirë, gjetjen e shumë relikeve arkeologjike që i kalojnë 300 mijë, shumë prej të cilave tashmë janë të ekspozuara në stacione të ndryshme të linjës kryesore”.
Mbi 200 milionë euro u shpenzuan për gërmimin dhe heqjen këtyre objekteve antike që datojnë në epokën helenistike, disa prej të cilave u inkorporuan më pas nëpër stacione.
Nikos Tachiaos, zëvendësministër i Infrastrukturës shprehet: “Selaniku ka tani një metro shumë moderne, me stacione shumë të bukura dhe elegante, por edhe stacione me karakter unik, si stacioni Agia Sophia, por veçanërisht stacioni Venizelos, ku një zonë e tërë arkeologjike është përfshirë në guaskën e strukturës”.
Projekti që është vonuar jashtë çdo lloj limiti kohor dhe për të cilin janë treguar anekdota si “metroja që nuk do mbaronte kurrë”, ka kushtuar deri tani rreth 3 mld euro.
18 trenat me nga katër vagonë, secili që do të lëvizin përgjatë 9.6 km të linjës që do funksionojë në këtë fazë, do të jenë pa makinist, pra automatikë.
Ajo vlerësohet se do të ulë me 60.000 automjete në ditë trafikun ditor tepër të rënduar edhe për shkak të ndërtimit të një unaze të re moderne që po ndërtohet mbi kodrat e qytetit.
Përveç skepticizmit dhe ankesave për shtrirjen e kufizuar të rrjetit nga shumë qytetarë, ka edhe shumë kritika pasi linja do të shkojë vetëm pas 15 vitesh drejt aeroportit të qytetit i cili ka pranuar mbi shtatë milionë pasagjerë vitin e kaluar.
Top Channel