“Projekt Buxheti 2025, mashtrim”, Berisha: PD do ta dyfishojë, të arrijmë standardet më të mira rajonale

08/11/2024 12:40

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson mashtrim projekt buxhetin 2025, i cili po diskutohet në komisione.

Berisha: Dua t’i rikthehem përsëri buxhetit, të nderuar gazetarë dhe të dashur qytetarë, sepse ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë tonë kombëtare. Do ndalem vetëm në dy-tre momente. Buxheti i shëndetësisë dhe arsimit së bashku janë gjithsej 5.4 përqind të GDP-së. Ndërkohë që premtimi i mashtruesit Edi Rama në krye të herës ka qenë për një buxhet për arsimin prej 5 përqind. Por të lësh një buxhet prej 2.9 përqind për shëndetësinë dhe të lësh të sëmurët që mund të shërohen, që mund të jetojnë shumë vite më shumë, pa mjekimet bazë, siç ka ndodhur në Spitalin Onkologjik dhe jo vetëm, duke pasur të gjitha mundësitë për t’i siguruar ato, përbën një krim të vërtetë kundër njerëzimit.

Ju jeni dëshmitarë se çfarë gjendje katastrofale, çnjerëzore, ekziston në Spitalin Onkologjik, qendër e vetme e trajtimit të të sëmurëve me neoplazira në Shqipëri. Ndonëse kjo sëmundje, për nga graviteti i tejkalon të gjitha grupet e tjera. Për nga pesha, renditet e treta në shkallë kombëtare. Për këtë sëmundje Shqipëria paguan gjithsej 55 mjekë rrogëtarë, ndërkohë që një shërbim onkologjik mbarëkombëtar duhet të bazohej, ose duhej të kishte të paktën minimumi një numër mjekësh 4 herë më shumë se sa sot. Mos harroni se normalisht Shqipëria duhet të ketë të paktën 4 mijë mjekë. Ajo që ndodh në Spitalin Onkologjik është aktakuza më e rëndë në rrafshin njerëzor për Edi Ramën, Ogerta Manastirliun, Korbën e Kovidit, siç e quan rëndom populli, për drejtuesit e qëndrës spitalore dhe Spitalit Onkologjik. E pashembullt në botë.

U them ju, ndjej një keqardhje shumë të madhe se jam i vetëdijshëm se ata mjekë, ata infermierë derdhin lumenj djerse, por disa prej tyre kanë pësuar një shkarje të tmerrshme dhe kanë rënë në kthetrat e mafies më të zezë, se nuk ka mafie më të zezë se ajo e bluzave të bardha. U them këtyre zonjave dhe zotërinjve, se me mesazhet e tyre të publikuara në shtyp, do mund të prodhohej filmi më horror i kohërave për bluzat e bardha. Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këtë situatë katastrofale në Spitalin Onkologjik, por ju garantoj se ekzistojnë një seri spitalesh të tjera, ku mund të diagnostikohesh, por procedurën e mjekimit do shkosh ta paguash diku tjetër, ndonëse ekziston çdo mundësi për t’u bërë në publik. Të gjitha këto se paguhet ministrja, paguhet Edi Rama, paguhen drejtuesit. Një mafie e urryer. Nuk ka mafie të mirë, por këta janë mafia më e keqe që sillen në këtë mënyrë.

Berisha: Nuk ka dyshim se PD ka një program në të cilin, shërbimi shëndetësor do të jetë i standardeve më të mira rajonale, dhe dora-dorës do të synojë standardet evropiane.

Se buxheti do dyfishohet dhe se do bëhet gjithçka që edhe në sëmundjet neoplazike, të kapet prognoza e vendeve më të mira, me diagnozë të hershme, më mjekim korrekt, me mjekim efiçent dhe të gjitha mjetet e duhura që duhen për mjekimin e këtyre sëmundjeve që sot janë të shumta.

Sot këto janë sëmundje plotësisht të mjekueshme, janë sëmundje me një përqindje të mirë të rasteve të shërueshme, por kërkojnë mjekim korrekt, kërkojnë një betejë të vendosur.

Berisha: Arsimi gjithashtu është në degradim. 2.6 përqind për fëmijët e Shqipërisë përbën përqeshjen, përtalljen më të madhe.
Në qoftë se ka një sektor që ka marrë certifikatën botërore të rrënimit në Shqipëri është sistemi arsimor.
Rënia në testin e cilësisë, në vlerësimin e PISA-s me 68 pikë është rënia më e madhe se e çdo vendi tjetër në planet.

Dhe me gjithë këtë rrënim që i bëri arsimit më korrupsionin e vet ish-Linda e parlamentit, Linda e ministrisë dhe pasardhësja e saj, tani dërguan aty Korbën e Kovidit për t’i dhënë ‘colpo di grazia’ dhe i caktoi një buxhet qesharak.
Garantoj mësuesit, garantoj shqiptarët, prindërit, nxënësit se buxheti i arsimit do dyfishohet.

Se ashtu sikundër në periudhën e qeverisë së PD, cilësia e arsimit në testin PISA pati ngjitjen ndër më vertikalet, nuk them se arritëm nivelet që donim, por ngjitja ishte ndër më vertikalet, se e gjetëm shumë poshtë, përsëri do i kthehemi rritjes së arsimit, me synimin më madhor, një arsim me cilësi dhe nivel më bashkëkohor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA