Si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kosova ka pranuar këtë të mërkurë raportin e progresit të hartuar nga Komisioni Evropian.
Raporti u dorëzua nga ambasadori i bllokut në Kosovë, Aivo Orav i cili përgëzoi Kosovën për politikën e jashtme karshi luftës në Ukrainë.
Megjithatë, Kosovës iu kërkua angazhim më i madh në zbatimin e marrëveshjeve për stabilizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Aivo Orav Ambasador i BE-së në Kosovë: “Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, kanë një punë të madhe për të bërë. Të zbatojnë reformën dhe të zgjidhin çështjet bilaterale”.
Sa i përket masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ambasadori i Bashkimit Evropian tha se masat do të largohen kur të plotësohen kushtet.
“Sfidë për Kosovën mbesin masat ndëshkuese. Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell ka rekomanduar heqjen e tyre dhe diskutimet vazhdojnë në këshill. Besojmë se Kosova do të marrë hapat e duhur për të bindur vendet anëtare”, shton Orav.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi që e pranoi raportin e progresit, tha se përderisa Kosova ka shënuar progres, masat ndëshkuese janë të panevojshme.
Raporti i vitit 2025 tregon se Kosova nga 38 fusha, ka shënuar progres pozitiv në katër prej tyre e që janë funksionimi i tregut ekonomik, doganës, punësimit dhe politikave sociale si dhe në sigurinë ushqimore.
Pak progres vendi ka shënuar në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, luftimin e krimit të organizuar, politikave të transportit, shërbimeve financiare dhe agrikulturës, ndërkohë që progres të limituar Kosova ka shënuar në reformën në administratën publike
Top Channel