“Spektakël” te Komisioni Hetimor/ Vokshi i “fluturon” mikrofonin dhe i heq fishën, Ndreca ndërron vend, deputetja e PD gjen “zgjidhje” sërish, por…

09/10/2024 18:20

Komisioni hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi është duke u zhvilluar në një mënyrë aspak të zakontë.

Mbledhja nisi dhe vijoi me tensione mes kryetares Albana Vokshi dhe nënkryetarit Plarent Ndreca. I gjithë debati filloi pasi Vokshi u fut në mbledhje pas Ndrecës dhe socialistëve, teksa sipas nënkryetarit mbledhja kishte nisur, dhe ishte thirrur dëshmitari i parë. Vokshi deklaroi se mbledhjen mund ta nisë vetëm ajo si kryetare.

Pas më shumë se dy orësh “ping-pong” mes Ndrecës dhe Vokshit ku njeri deklaronte se mbledhja kishte nisur dhe duhej të vijonte, dhe tjetri deklaronte se nuk kishte nisur dhe se dëshmitari duhej të dilte jashtë dhe të priste për procedurën, “konsensusi” nuk u gjet.

Vokshi vazhdimisht i hidhte mikrofonin Ndrecës, ose i hiqte fishën që të mos punonte, ndërsa ai vijonte të fliste dhe t’i drejtonte pyetje dëshmitarit.

Pas dy orësh, Ndreca ndërroi vend, duke u larguar nga krahu i Vokshit dhe duke u ulur në anën e kolegëve të tij socialistë, por sërish Vokshi i ka tërhequr fishën e mikrofonit duke ia fikur.

Ndërsa në sallë u fut edhe dëshmitarja e dytë, Vokshi vijoi të deklaronte se kjo mbledhje ishte nul pasi ajo si kryetare nuk e kishte nisur, dhe se asnjë nga dëshmitë nuk do të shënohej. Ajo tha se mbledhja do të bëhet vetëm kur të jenë prezentë edhe anëtarët e opozitës, teksa sot të pranishëm ishin vetëm Vokshi dhe Petrit Vasili.

Teksa dëshmitarja e dytë po fliste, Vokshi tha se mbledhja është e mbyllur, dhe u larguan nga mbledhja, ndërsa Ndreca njoftoi disa minuta pushim, për të rifilluar sërish më dëshmitarin tjetër.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA