Eksperti mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu, në një intervistë ekskluzive për “Top Story”, ka rrëfyer momentin se si gjeti i pari trupin e Adem Jasharit.
Në disa foto të publikuara kohë më parë, doktori ka puthur mbetjet kockore të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Eksperti tregon si ishte ai moment dhe se çfarë ndodhi më pas.
“Menjëherë pas luftës ne u kthyem në institucionet tona pas 10 vitesh, në institucionin e mjekësisë ligjorë, që për shqiptarët ishte i mbyllur. Trupat kanë qenë në Institut, gjetëm disa nga raportet e autopsive, një numër të vogël dhe në mesin e tyre ishte edhe një raport i komandantit legjendar, Adem Jashari. Njoftova familjen e tij dhe profesorin Murati, i cili shprehu gatishmërinë që të rihapen dhe të kryhen nga ekspertët vendorë. Kjo ndodhi në fund të shtatorit, të viti 2002, për 13 ditë kemi punuar mbi 12-13 orë në ditë. Çdo gjë është dokumentuar, xhiruar.
Momentet e atyre ditëve i kam parë pas 18 viteve. Jam emocionuar shumë, më të mëdhatë në jetë, isha në prekje të historisë. Dita e parë ka qenë aq mburrëse, por edhe jam frikësuar, një vend me 54 varre. Disa kanë qenë të goditur, nja 7 a 8 nuk dihej as emri. Secili nga vëllezërit e familjes Jashari kanë pasur nga një çun jashtë. Janë varrosur nga personat në fshatrat në afërsi, apo që nuk i kanë njohur mirë. Nja 6-7 kanë qenë gabimisht të varrosur. Për herë të parë është përdorur ADN në Kosovë në atë periudhë dhe kemi verifikuar pjesëmarrësit e familjes Jashari.
Nuk ka qenë e lehtë, kafka ishte e fundit që lash. Emocioni bëri të vetën dhe e putha në ballë. Nga figurat e larta të kombit tonë, do të mbesë mijëra vite më pas, sakrifica e tij është edhe unike në botë”, tregon ai.
Top Channel