OSBE takon përfaqësuesit e drejtësisë pas refuzimit të tryezës me Ramën, në fokus bojkotet dhe përplasja për pagat

02/10/2026 21:27

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.

Takimi vjen në një moment përplasjeje mes sistemit të drejtësisë dhe qeverisë, pas debatit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe refuzimit të tryezës së thirrur nga kryeministri Edi Rama për diskutimin e kësaj çështjeje.

Në njoftimin e saj, Prezenca e OSBE-së bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te zhvillimet aktuale në sistemin e drejtësisë dhe ndikimi i tyre në funksionimin e tij, të drejtat e individit dhe standardet për një gjykim të drejtë.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e përfshirjes kuptimplotë të të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në çështjet që mund të ndikojnë në funksionimin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës në tërësi.

Mesazhi i OSBE-së vjen në një periudhë kur përplasja për pagat është shoqëruar me bojkotime në sistemin e drejtësisë, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët kanë kërkuar që çështja të trajtohet në përputhje me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë situatë, Prezenca e OSBE-së vë theksin te dialogu gjithëpërfshirës, funksionimi i institucioneve të drejtësisë dhe mbrojtja e të drejtave të individit.

Top Channel