Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka kërkuar liderëve politikë të Gjermanisë mbështetje në aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të ndryshme, përfshirë Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Këto kërkesa, Osmani i bëri gjatë takimeve me ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, dhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth.
Ky i fundit shkroi në llogarinë e tij në X për takimin me Osmanin, duke thënë se Kosova meriton më shumë mbështetje.
“Kosova është një shembull inkurajues në Ballkanin Perëndimor për përkushtimin e saj të qartë ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Fatkeqësisht, vende të tjera në Ballkanin Perëndimor po largohen nga këto vlera të Bashkimit Evropian”, shkroi Roth.
Vizita e Osmanit në Gjermani vjen në një kohë kur Gjermania i ka kërkuar Kosovës ta heqë ndalesën ndaj mallrave të prodhuara në Serbi, si dicka që është kundër parimeve të CEFTA-s.
Qeveria kosovare i ka ndaluar importet nga Serbia në qershor të 2023-tës, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës, dhe se, përmes tyre, mund të hyjnë edhe armë në vend.
Por, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar se nëse është e nevojshme, vendet e Ballkanit do të ecin përpara drejt bashkëpunimit rajonal edhe pa Kosovën./REL
Top Channel