Punimet për urën mbi lumin e Tiranës vazhdojnë në kryeqytet.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i punës në urën, që është pjesë e Unazës së Madhe, ndërsa thotë se janë realizuar 70 për qind e punimeve.
Unaza e madhe e Tiranës pritet të sjellë ndryshime të mëdha në kryeqytetet që nga shkurtimi i distancave, reduktimi i trafikut e deri te rritja e vlerës së pronës. Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 27 kilometra të gjatë.
Unaza e jashtme e Tiranës fillon në afërsi të Shkozës, duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit, drejt zonës së Kinostudios. Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz.
Kjo vepër e infrastrukturës rrugore financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa është konsideruar një ndër investimet publike më të rëndësishme. Ndërtimi i këtyre lot-eve do të shënojë dhe bashkimin me segmentet e përfunduar tashmë, duke sjellë lehtësim të trafikut në kryeqytet.
Më herët, kreu i qeverisë ka bërë të ditur dhe datën e përfundimit të punimeve, fundi i këtij viti do ta gjejë Tiranën me rrugë të reja që do t’i japin frymëmarrje trafikut të rënduar të kryeqytetit,.
Top Channel