Çështja e tërheqjes ose jo të një letre që Serbia ia ka dërguar Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën, është zhytur aktualisht në mister pas përplasjes së deklaratave të bllokut europian dhe autoriteteve kosovare, ndërsa Beogradi zyrtar hesht.

Më 6 shtator, pas një takimi në Prishtinë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se se Serbia e ka tërhequr letrën e ish kryeministres Ana Bërnabic, ku përcilleshin rezervat e palës serbe për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe për Aneksin e zbatimit të saj, që BE-ja i sheh si marrëveshje historike në procesin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ndërkohë, pas takimit të fundit me Lajcak në Bruksel Bislimi tha se ka kuptuar që letra, në të vërtetë, s’është tërhequr.

“Ajo që ai deshi të thoshte në Prishtinë është se, po punohet me Serbinë që letra të tërhiqet. Letra nuk është tërhequr dhe as nuk ka kërkesë për tërheqjen e saj nga ana e Serbisë ende”, deklaroi kryenegociatori i Prishtinës zyrtare. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Brukseli nuk komenton deklaratat e asnjërës palë, duke shtuar se është Serbia ajo që duhet të pyetet lidhur me veprimet e saj.

“Ne presim që palët më në fund të përqendrohen te zbatimi [i Marrëveshjes] dhe të mos humbin kohë me taktika devijuese”, ishte komenti i tij. Burime të REL thonë se askush në Bruksel nuk ka deklaruar se letra është tërhequr, përveç Lajçakut. Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel shprehet se letra e Bërnabicit gjithmonë ka qenë “pak e mistershme”, duke nënvizuar se edhe vetë dërgimi i saj ishte i pazakontë, pasi ish kryeministrja serbe ia dorëzoi atë një zyrtari të nivelit të mesëm të Shërbimit për Veprim të Jashtëm të BE-së, gjë që, sipas tij, përbën shkelje të protokollit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA