Tentoi disa herë t’u shpëtonte forcave RENEA/ Momenti kur autori i plagosjes së dyfishtë pikaset në Tamarë, u arrestua pas disa orëve ndjekje

15/09/2024 15:33

Këtë të diele të 15 shtatorit, dy persona mbeten të plagosur në Malësinë e Madhe.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:45 minuta në Vrakë, në aksin rrugor Shkodër – Hani i Hotit. Lul Rakaj është autori i dyshuar i cili ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të shtetasve Besmir Qofi dhe Avenir Hasanaj duke i lënë të plagosur, njëri në gjendje të rendë.

Pas të shtënave, autori është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë edhe armen e krimit me vete. Për arrestimin e tij, në ndihme të policisë se Shkodrës, kanë mbërritur edhe dy grupe të forcave speciale RENEA.

Lul Rakaj, nuk është një emër i panjohur për policinë në Malësinë e Madhe. Rreth 13 vite me parë, në fshatin Hot, ai vrau shtetasin Kolë Mushku. Shkaku asokohe ishte për gjakmarrje, për të marrë hakun e vrasjes se babait të tij. Ndërsa për ngjarjen e sotme, dyshohet se mes autorit dhe të plagosurve, shkak i përplasjes u bë një konflikt i hershem mes tyre.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të  Drejtorisë Vendore të  Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe  dy grupe të Forcave Speciale Renea, për të bërë të mundur neutralizimin dhe  kapjen e autorit.

Ndërkohë Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit  me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar.

Pas afro  tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej.

Autori nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me reshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot  të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e  zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën ai dyshohet se e ka fshehur kur ka parë  Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar.

Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA