Prokuroria e Posaçme ka marrë pak ditë më parë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha për akuzën e korrupsionit lidhur me procesin e privatizimit të klubit të futbollit Partizani.
Gjatë thirrjes për t’iu komunikar akuza, dy prokurorët e çështjes Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, i dhanë kryetarit të Partisë Demokratike dhe dosjen e plotë e cila përbërë nga 499 faqe.
Top Channel e disponon këtë dosje, por ka zgjedhur të publikojë vetëm pjesë të saj që kanë interes publik.
Në dosje thuhet se gjatë procesit të privatizimit, shtetit i është bërë një dëm ekonomik në vlerën 4.3 milionë euro për shkak të zhvlerësimit të ndërtesave që ndodheshin në token e cila nga sportive ishte kthyer në tokë ndërtimi.
“Sipas raportit të vlerësimit të mbajtur nga ekspertët Elvira Aliaj dhe Sali Preçi e konfirmuar edhe nga Komisioni i vlerësimit në procedurën e privatizimit të klubit Shumësportësh Partizani, vlera e ndërtesave është 43.254.740 lekë, ndërkohë sipas aktit të ekspertimit të kryer nga ekspertët e caktuar nga prokuroria, vlera shumatore e ndërtimeve është 388.713.439 lekë, pra 345.458.689 lekë më shumë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Ndërkohë dokumenti vijon “Sipas raportit të vlerësimit të mbajtur nga ekspertët Elvira Aliaj dhe Sali Preçi në lidhje me vlerësimin e Klubit të Futbollit Partizani, ka rezultuar se vlera e ndërtesave është 10.108.780 lekë e konfirmuar nga grupi i vlerësimit, kurse nga ekspertët gjatë hetimit është vlerësuar 101.094.535 lekë ose 90.985.755 lekë më shumë. Pra shtetit nga këto privatizime i ka ardhur një dëm në vlerën 436.444.444 lekë”.
Top Channel