Ardian Ismajli ishte padyshim një nga protagonistët kryesorë të fitores së Shqipërisë kundër Ukrainës, i cili shënoi golin e barazimit dhe ishte thuajse i pakalueshëm në mbrojtje.
Mbrojtësi i Kombëtares foli për “DigitAlb” duke u shprehur se skuadra kuqezi e meritoi fitoren dhe se gjithashtu u ndal dhe te pjesa ku nuk luajti asnjë minutë në Europian, duke thënë se kjo i takon së shkuarës.
“E kemi ditur që është skuadër shumë e fortë fizikisht, nuk ka shumë dallim nga Çekia. Por me një taktikë të jashtëzakonshme dhe luftë të paparë, duke ndihmuar njëri-tjetrin. Besoj që e kemi merituar këtë fitore, mendoj se është speciale se hera e parë që mundim Ukrainën.
Unë jam profesionist, e kam bërë gjatë karrierës e do të vazhdoj. Në Europian ishte zgjedhja e trajnerit, desha s’desha, duhet të pranoj. Ajo është e kaluara, të shohim të ardhmen, kemi ardhur për një cikël të ri. E rëndësishme ishte të dalim me tre pikë në një transfertë të vështirë. Tani mbetet të rikuperojmë dhe të martën të mendojmë për një ndeshje si Gjeorgjia që ka bërë ndeshje të madhe kundër Çekisë.
Nuk ka pas polemikë me trajnerin dhe nuk do ketë kurrë., Jam profesionist, që nga dita e parë e karrierës e deri në fund, nuk do ketë polemika, i kam pranuar vendimet me sportivitet. Çfarë shkruajnë portalet e disa gazetarë, nuk ka qenë e vërtetë e nuk do të ketë kurrë. Nuk do kem asnjëherë probleme me trajnerë në karrierë. Falënderoj Zotin për këtë ndeshje të madhe, ku ndihmova ekipin jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm. Këtë gol e fitore ia kushtoj familjes që ka vuajtur shumë, do i bëjmë krenarë të gjithë shqiptarët dhe familje time”, tha Ismajli për “DigitAlb”.
Top Channel