Spiropali takohet me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri: Kuvendi, rol kyç në procesin e integrimit evropian

04/09/2024 19:25

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit, Ambasadorin e Bashkimit Evropian, z. Silvio Gonzato.

Ambasadori Gonzato theksoi përparimet e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe nënvizoi angazhimin e Delegacionit për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Kuvendin. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes gjithëpërfshirëse në procesin e integrimit europian, si një mjet për transformimin e shoqërisë shqiptare.

Nga ana e saj, Kryetarja Spiropali vlerësoi ndihmën e Delegacionit të BE-së në përshpejtimin e procesit të integrimit dhe e theksoi prioritetin e Kuvendit në udhëheqjen e këtij procesi. Ajo theksoi se Kuvendi, si garantues i legjitimitetit demokratik, ka marrë një rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit të ri që rregullon rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, duke forcuar mbikëqyrjen e institucioneve të përfshira në këtë proces.

Kryetarja Spiropali, gjatë takimit shprehu gjithashtu disa nga prioritetet e sesionit të ri parlamentar, duke përfshirë mbështetjen për dialogun politik ndërmjet grupeve parlamentare për reforma, mbështetjen për institucione të pavarura si mbrojtës të interesit publik, luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, mbështetjen për komisionet hetimore dhe të posaçme, dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare për të ndihmuar deputetët.

“Sot takova për herë të parë Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali. Ramë dakord për rëndësinë e aftësimit të Parlamentit për të luajtur plotësisht rolin e tij në procesin e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe për të siguruar konsensus të fortë në të gjithë spektrin politik rreth tij.

Ne gjithashtu ramë dakord se na duhet një parlament efikas dhe transparent, i hapur për qytetarët e tij, i aftë për të kryer reformat e nevojshme dhe efektiv në ushtrimin e mbikëqyrjes mbi ekzekutivin.

Në këtë kontekst, BE-ja do të vazhdojë të angazhohet me Këshillin Kombëtar për Integrimin Evropian, Komisionin për Çështjet e BE-së dhe ne do të shtojmë bashkëpunimin tonë teknik me Kuvendin.

Konfirmova gjithashtu se BE-ja do të angazhohej me komisionet e posaçme parlamentare – për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, si dhe për luftimin e dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në procesin demokratik – me synimin për të siguruar koherencë e plotë me angazhimet të Shqipërisë për anëtarësim në BE”, ka reaguar pas takimit ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA