Policia greke ka sekuestruar një sasi të madhe droge, në një operacion që ka çuar në arrestimin e një personi dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve.

Bëhet fjalë për droga të llojeve të ndryshme duke filluar nga marijuana e deri tek kokaina rozë apo metamfetamina.

Policia greke ka siguruar informacion për veprimtarinë e një grupi kriminal në zonën e Lekanopedio në Athinë dhe pas disa kohë hetimesh ka ndërhyrë me një operacion mbrëmjen e së martës. Forcat e policisë kanë ndërhyrë në dy banesa në rrugët “Stuart 2” dhe “Athanasiou Diakou” në Athinë.

Në njërën nga banesat është arritur të arrestohet shtetasi grek Marios Kouskoulis 30 vjec, ndërsa në banesën tjetër nuk është arritur të kapen të dyshuarit. Banesa e dytë rezulton se i ishte dhënë me qera shtetasit grek Nikolaos Gardas 33 vjec nga shtetasi shqiptar Panajot Mahmutaj 24 vjec nga Patosi.

Gjatë  kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 53 kg 290 gram marijuanë, 3 kg 242 gram kokainë, 875 gram kokainë roz, 875 gram ketaminë, 545 gram metamfetaminë, 127 mijë e 215 euro, 1 automjet, 1 celular, 3 peshore, 1 grirës hashashi, 1 pajisje numërimi kartmonedhash, 1 pajisje metalike presuese, paketime droge, 2 role membrane.

Sipas policisë greke, vetëm kokaina rozë e njohur si “Tusi” shitej për 100-120 euro/gram.

Policia ka arrestuar shtetasin grek Marios Kouskoulis 30 vjeç dhe ka shpallur në kërkim grekun Nikolaos Gardas 33 vjeç dhe shqiptarin Panajot Mahmutaj 23 vjec nga Patosi. Ky i fundit rezulton me precedentë penalë në Greqi pasi në vitin 2018 është identifikuar si pjesë e një grupi kriminal që kishte kryer 72 vjedhje në Athinë.

FOTO GALERI
5/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA