Izraeli urdhëron evakuimin e 29 fshatrave në jug të Libanit, rriten tensionet në kufi Pas sulmit me thikë në Solingen, qeveria gjermane ka vendosur të ashpërsojë masat ndaj azilkërkuesve të refuzuar dhe refugjatëve që kanë kryer vepra penale.
Paketa e re e sigurisë përbëhet nga disa shtresa: Ligje më të rrepta për armët, reduktim i ndihmës sociale për refugjatët që u refuzohet kërkesa për azil, dëbim më i shpejtë i azilkërkuesve të refuzuar dhe atyre që kanë kryer vepra penale.
Po ashtu do të zgjerohen kompetencat hetimore për autoritetet e sigurisë dhe do të ketë më shumë projekte parandaluese kundër islamizmit. Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, deklaroi se do të ndalohen thikat në festivale, aktivitete sporte apo ngjarje të ngjashme publike.
Në të ardhmen policia do të ketë gjithashtu të drejtë të ndalojë mbajtjen e thikave në stacionet e trenave, të cilat shpesh janë pika të nxehta veprash kriminale.
Po ashtu parashikohet edhe një ndalim i përgjithshëm i thikave në trenat e distancave të gjata. Gjithashtu do të ashpërsohet dhënia e licencave për armë zjarri.
“Kushdo që sulmon ose kërcënon me thikë njerëzit në Gjermani do të dëbohet shpejt nga vendi,” deklaroi ministri i Drejtësisë Marco Buschmann.
Ashpërsimi i masave të dëbimit do të vlejë edhe për të rinjtë. Edhe refugjatët që shkojnë për vizitë më vendet e tyre të origjinës do të dëbohen, se sipas ministrit Buschmann: “Ai që shkon për pushime në vendlindje, ku pretendon se nuk mund te jetojë në siguri, vepron në mënyrë kontradiktore dhe do ta humbasë statusin e strehimit”.
Ekzekutivi gjerman planifikon po ashtu të lejojë përdorimin e programeve për njohjen e fytyrave nga autoritetet e sigurisë për të kërkuar dhe identifikuar sa më të shpejtë në internet dhe rrjetet sociale persona të dyshuar apo të shpallur në kërkim.
Top Channel