Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë në hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shqiptarë dhe Mitrovicën e Veriut të banuar me serbë.
Sipas partisë në pushtet në Kosovë, kundërshtimet e faktorit ndërkombëtarë nuk kanë asnjë bazë, ndaj i mëshojnë idesë së hapjes së urës për qarkullimin e plotë të automjeteve dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
“Kundërshtimet nuk po duken që kanë bazë tashmë pas krejt ngjarjeve që kanë ndodhur në komunat në veri që mund të parandalojnë hapjen e urës. Hapja e urës në aspektin e lëvizjes së lirë paraqet një prej elementeve thelbësore për qytetarët e asaj ane. Gjithashtu edhe në aspektin e simbolikës së ndarjes që ka prezantuar ura është tejet pozitive që të hiqet edhe elementi i fundit i simbolikës së ndarjes së veriut. Është e pakuptimtë të shkohet deri në kufirin më verior të Kosovës dhe të mbetet një urë këtu që lidh qytetin jugun dhe veriun e Mitrovicës e mbyllur”, tha Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV
Lidhja Demokratike e Kosovës nga ana tjetër mendon se një veprim i tillë pa koordinimin dhe mbështetjen e aleatëve, sidomos SHBA-së, është në dëm të vendit.
“Nuk besoj se ka qytetarë në Republikën e Kosovës dhe ne si deputetë që nuk ka qejf me u hap ura e Ibrit. Por duhet koordinim me aleatë ndërkombëtarë, pasi falë tyre sot jemi këtu. Çdo herë kur jemi ulë dhe dakorduar ne kemi fituar. Në këtë rast shpresoj që kryeministri mos të punojë në kokën e tij por të ulet dhe dakordësohet”, Rezarta Krasniqi, deputete LDK
Analisti politik, Arbnor Sadiku, sakaq mendon se hapja e urës mund të jetë e vështirë, vecanërisht nëse KFOR-it vendos aty trupat e tij.
“Sa i përket hapjes së urës mendoj se do të jetë e vështirë edhe pse është veprim legal dhe i mundshëm. Por problemi është se KFOR sigurisht do t’i vendosë trupat e saj dhe në rast se Kosova tenton të bëjë diçka të tillë atëherë do të vejë Kosovën para një situatë aspak të dëshiruar”, u shpreh Arbnor Sadiku, analisti politik.
Gjatë kësaj jave u bënë edhe testimet e fundit të fuqisë mbajtëse të urës, si hap përpara hapjes së saj për qarkullimin e automjeteve.
Top Channel