Një gjykatës amerikan vendosi se kompania Google ka shkelur ligjin, pasi ka shpenzuar miliarda dollarë për të krijuar një monopol të paligjshëm dhe është bërë motori kryesor i kërkimeve në botë.
Kjo është fitorja e parë e madhe e autoriteteve federale kundër dominimit të tregut nga kompanitë e mëdha të teknologjisë.
Vendimi i hap rrugën një gjykimi të dytë për të përcaktuar mënyrat se si mund të përmirësohet kjo çështje, përfshirë edhe ndarjen e Alphabet nga Google, që do të ndryshonte peizazhin në botën e reklamimit online, që Google e ka dominuar për vite të tëra.
Vendimi i gjykatësit Amit Mehta, po ashtu i jep dritën e gjelbër zbatimit më të fuqishëm të ligjit nga SHBA-ja kundër kompanive të mëdha të teknologjisë.
“Gjykata ka mbërritur në këtë përfundim: Google është monopolist, ka vepruar me të gjitha mënyrat për të mbajtur monopolin”, tha Mehta në vendim.
Në vendimin e gjykatësit të qarkut në Uashington u tha se Google kontrollon rreth 90 për qind të tregut të kërkimeve online dhe 95 për qind të kërkimeve që bëhen përmes telefonave smart.
Përfundimi i këtij procesi mund të jetë i gjatë, pasi ka mundësi që palët të ankohen në Gjykatën e Apelit, por edhe në Gjykatën Supreme. Ky proces ligjor mund të zgjasë gjithë vitin e ardhshëm, e madje edhe në vitin 2026.
Top Channel