Historiku i përplasjes së dy bandave/ Armiqësia me klanin Duka, si u eliminuan të gjithë njerëzit e Ervis Martinajt

03/08/2024 12:03

Ekstradimi i Leonard Dukës, një prej personazheve më të kërkuar të krimit, nga Belgjika drejt Shqipërisë rikthen në vëmendje edhe sagën e përplasjeve mes tij dhe ‘bosit’ të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

Ky i fundit është i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, por hakmarrja vazhdoi. Shumë prej mbështetësve të tij u ekzekutuan në atentate mafioze para se ai të zhdukej.

Mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019, ekzekutohet brenda makinës së tij në Tiranë, ish-polici Santiago Malko. Në përfundim të hetimeve, pasi çoi dosjen për gjykim, Prokuroria tha se vrasja e tij kishte ndodhur për shkak të rivalitetit në lojërat e fatit mes dy grupeve kriminale. Por mes rreshtave në dosje dhe shumë dëshmive e një hetimi paralel të kryer nga Prokuroria e Vlorës, në fakt rezultoi se Malko ishte vrarë në pamundësi të eliminimit të Ervis Martinajt. Kjo, pasi disa plane për vrasjen e tij kishin dështuar.

Vrasja e Santiago Malkos ishte planifikuar nga një grup i përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qenë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin për të kryer ekzekutimin. Në dosjen hetimore theksohet se urdhërues të vrasjes janë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Ndërsa grupi që punonte për ta dhe mori pjesë me role të ndryshme në vrasjen e Santiago Malkos, janë: Ilir Selmani, Oltian Loga, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica, Fatmir Hyseni dhe Blendi Teta.

Pas vrasjes së Malkos, sulmi ndaj njerëzve të Ervis Martinajt vazhdoi deri në vitin 2022. Më 13 nëntor të vitit 2021 ekzekutohet miku i tij, Erigers Mihasi. Ai ishte duke lëvizur me makinë në zonën e “Astirit”, së bashku me Armando Dumanin, kur u qëllua me breshëri kallashnikovësh nga një makinë tjetër. Nga të shtënat humbi jetën gjithashtu edhe Armando Dumani. Mihasi ka qenë gjithashtu mik i ngushtë me ish-policin Santiago Malko. Vrasja e dyfishtë ka mbetur ende e pa autor.

Afro një muaj më vonë, më 23 dhjetor të vitit 2021, Can Kariçi, një tjetër njeri i Martinajt, u qëllua me një armë zjarri me silenciator brenda një makine me targa të huaja. Ngjarja ndodhi në Kodër-Kamëz, ndërsa ende nuk janë gjetur autorët. Kariçi kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe kishte qenë i dënuar për një plagosje të ndodhur në Tiranë në vitin 2018.

Më 17 maj të vitit 2022, 29-vjeçari Ulvi Skana, zhduket pa gjurmë. Familjarët bënë denoncim dhe Policia nisi një hetim për rrëmbimin e tij. Në media është aluduar se ai ishte mik i ngushtë i Can Kariçit dhe i njohur i Martinajt, po nëna e tij, Thëllëza Skana ka mohuar në daljet mediatike që djali i saj të jetë pjesë e njerëzve të bosit të lojërave të fatit.

Goditja më e rëndë, më 17 korrik 2022 vritet kushëriri i tij, njëkohësisht njeriu iu tij më i afërt, Brilant Martinaj. Ai u ekzekutua në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. Autorët qëlluan me breshëri kallashnvikovi drejt makinës me të cilën po udhëtonte Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Vata doli jashtë mjetit, por u ekzekutua nga plumbat, ndërsa dy të tjerët u dogjën brenda makinës.

Në fund, u hap një tjetër dosje për të. Gjykata e Posaçme, me vendimin nr.42, datë 17 maj 2022, caktoi ndaj Ervis Martinajt masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 4 vepra penale, një prej të cilave, grup i strukturuar kriminal.

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, e përmendi edhe atë si person që kishte porositur vrasje. Dumani dëshmoi se Ervis Martinaj kishte ofruar deri në 500 mijë euro për vrasjen e Endrit Dokles.

E megjithëse u shpall në kërkim nga SPAK, Martinaj nuk u arrit të gjendej asnjëherë. Në vend të tij u arrestua efektivi i Policisë Jeton Lami, i cili u dyshua se e kishte të ndihmuar për t’u arratisur. Lami u dënua me 2 vite e 10 muaj burg, por tashmë e ka përfunduar dënimin dhe është i lirë.

Në kohën që Policia e kërkonte për ta arrestuar, më datë 10 gusht 2022, xhaxhai i tij, Faik Martinaj, paraqiti një kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Kurbin. Ai tha se kishin humbur kontaktet me nipin e tij. Faik Martinaj shpjegonte se që prej kohës që nipi i tij Ervisi është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, ai dhe familja e tij nuk kishin pasur kontakte me të dhe nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij.

I pyetur lidhur me motivet dhe personat që mund të jenë përfshirë në zhdukjen e nipit të tij, Faik Martinaj sqaronte se që prej dhënies së dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, i cili e akuzonte nipin e tij Ervisin për disa krime të rënda, kishin filluar edhe problemet për të.

Ai ka hedhur dyshime për grupe kriminale dhe posaçërisht tek shtetasi Endrit Dokle. Pas këtij kallëzimi, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për rrëmbim personi, por nuk është zbuluar asgjë rreth vendndodhjes së Ervis Martinajt.

Është hetuar në disa drejtime nga ana e organit të akuzës, janë vënë në përgjim shumë persona, por deri më sot nuk është konkluduar asgjë.

Për Policinë e Shtetit, fakti që prej zhdukjes së tij, nuk kishte pasur ngjarje kriminale, të paktën përplasje me armë mes grupeve siç kishin ndodhur më parë, shpjegonte dobësimin e grupit të tij. Kjo e dhënë ishte edhe një lloj indikacioni që e shtynte Policinë të mendonte se Ervis Martinaj edhe mund të ishte vrarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA