Shfrytëzonte vajza nga Europa Lindore për prostitucion, kapet në Peshkopi i dënuari me 9 vite burg në Itali

18/09/2026 11:50

Gëzim Dani alias Gëzim Hidri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është kapur në Peshkopi, në kuadër të operacionit “Fast”.

40-vjeçari, i dënuar nga drejtësia italiane me 9 vite burgim për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, u lokalizua dhe arrestua falë bashkëpunimit të FAST Albania me strukturat e Policisë së Shtetit dhe autoritetet homologe italiane.

“Policia e Shtetit. Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me DVP Dibër, faza e radhës e operacionit të koduar “Fast”.

Kapet në Peshkopi, 1 shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar në Itali, me 9 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Në vijim të bashkëpunimit nëpërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Dibër, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, gjatë së cilës u kap në Peshkopi dhe u arrestua shtetasi:

-Gëzim Dani alias Gëzim Hidri, 40 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, me vendimin e datës 15.11.2021, e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, sepse ka shfrytëzuar vajza nga Evropa Lindore, për prostitucion, në zonën e Napolit, në vitin 2009.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurën për ekstradimin e 40-vjeçarit, në Itali”, shkruan Policia.

Top Channel