Bojkot dyorësh pas plagosjes së avokatit në Durrës, 21 seanca gjyqësore mbeten pezull
Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të reja të operacionit policor të koduar “The Wanted”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në Itali të dy shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Romës.
Në pranga kanë rënë 33-vjeçari Muhamet Bedulla, i dënuar me 10 vjet burg për vrasje me dashje mbetur në tentativë (pasi në vitin 2017 plagosi me thikë babanë e personit me të cilin ishte konfliktuar në Korçë), si dhe një 26-vjeçar me inicialet Uendi Braçja, i akuzuar për shitje lëndësh narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Të dy këta shtetas pritet të ekstradohen drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimet ose për t’u ballafaquar me drejtësinë.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”.
Arrestohen në Itali, 2 shtetas të dënuar/akuzuar për tentativë vrasjeje me mjet prerës, shitje të lëndëve narkotike dhe posedim të kundërligjshëm të municionit luftarak.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët italianë, konkretizuar nëpërmjet koordinimit operacional dhe informativ ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Romës, u finalizuan 2 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”, të cilat rezultuan me arrestimin në Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, të 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Konkretisht, u arrestuan shtetasit:
-Muhamet Bedulla, 33 vjeç, të cilin Gjykata e Korçës, në vitin 2018, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Në vitin 2017, ky shtetas ka tentuar të vrasë shtetasin A. S. (babai i shtetasit me të cilin ishte konfliktuar në Korçë), të cilin e ka plagosur tri herë me mjet prerës (thikë). Nga dënimi 33-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet dhe 4 muaj burgim;
-U. B., 26 vjeç, të cilit Gjykata e Elbasanit, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, shtetasi U. B. është kapur duke shitur lëndë narkotike Cannabis Sativa, dhe akuzohet se ka mbajtur në banesë, sasi të konsiderueshme fishekësh luftarakë dhe 2 krehra pistolete.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë të bashkëpunojnë për të finalizuar procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri.
Top Channel