Diell dhe shi në fundjavë! Temperaturat deri 34 gradë celsius, parashikimi i motit për fundjavën dhe javën në vijim

18/09/2026 12:33

Fundjava do të sjellë mot të paqëndrueshëm, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, ndërsa në disa zona priten reshje shiu dhe shtrëngata afatshkurtra. Temperaturat do të arrijnë deri në 34 gradë Celsius, ndërsa në fillim të javës së ardhshme pritet një rënie e tyre.

Sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Elida Maloçali, në një lidhje të drejtpërdrejtë për edicionin e lajmeve në Top Channel, shpjegoi parashikimin e motit për fundjavën dhe ditët e para të javës së ardhshme.

Gjatë fundjavës, vendi do të karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira, të cilat herë pas here do të shoqërohen me reshje shiu dhe shtrëngata afatshkurtra.

Era do të fryjë kryesisht nga jugu, me shpejtësi 7 deri në 16 m/s, ndërsa në det pritet valëzim nga 1 deri në 3 ballë. Temperaturat do të luhaten nga 13 deri në 34 gradë Celsius.

Ndërkohë, e hëna do të nisë me kthjellime, por gjatë mesditës pritet shtim i vranësirave. Pas orëve të mesditës, vranësirat do të shpërbëhen gradualisht, duke sjellë përmirësim të kushteve atmosferike. Në fillim të javës së ardhshme pritet edhe ulje e temperaturave, të cilat do të luhaten nga 10 deri në 30 gradë Celsius. Era do të forcohet, duke arritur shpejtësi nga 13 deri në 22 m/s, ndërsa në zonat detare valëzimi pritet të jetë nga 3 deri në 5 ballë.

Sipas sinoptikanes, ndryshimi i situatës atmosferike do të shoqërohet me rënie të temperaturave gjatë ditëve të para të javës së ardhshme.

Top Channel