Liderët e Bashkimit Evropian mblidhen këtë të enjte në Oxfordshire të Mbretërisë së Bashkuar për Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane, një grupim i udhëheqësve të pothuajse të gjitha vendeve evropiane, me përjashtim të Bjellorusisë dhe Rusisë.
I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, që u mirëprit nga kreu i ri i qeverisë britanike, Keir Starmer.
Veç vendeve anëtare të BE, janë të ftuar edhe vendet jo anëtare përfshirë Norvegjinë, Islandën, Gjeorgjinë, Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe Turqinë, sipas The Guardian.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili nuk mori pjesë në samitet e mëparshme, nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen.
Konferenca e së enjtes është takimi i katërt i Komunitetit Politik Evropian, i iniciuar pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ide e presidentit francez, Emmanuel Macron.
Është parë si një mundësi “shumë domethënëse” për kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer që jo vetëm të presë deri në 50 liderë evropianë, por të rivendosë besimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe t’i tregojë botës se vendi është kthyer në skenën ndërkombëtare pas viteve të dëmtimit të reputacionit të shkaktuar nga Brexit.
EPC është krijuar për të lehtësuar forcimin e lidhjeve midis liderëve të BE-së dhe atyre jo pjesë e BE me konferenca të mëparshme të mbajtura në Spanjë, Moldavi dhe Republikën Çeke.
Si mikpritës, Starmer do të flasë në seancën plenare hapëse, e cila do të mbahet në një nga sallat në Pallatin Blenheim, vendlindja e Winston Churchill. Ai pritet të nënvizojë angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ukrainës dhe Zelenskyt, dhe për rivendosjen e marrëdhënieve të vendit pas Brexit me BE-në.
Kryeministri tashmë është zotuar të vendosë lidhje më të ngushta me BE-në dhe ministri i ri për marrëdhëniet evropiane, Nick Thomas-Symonds, ku udhëtoi të hënën në Bruksel për një takim prezantues me ish-negociatorin e Brexit, Maroš Šefčovič.
Top Channel