Një ditë pasi regjistroi “21 Janarin”, SPAK vendosi të thërrasë më 22 korrik bashkëshorten dhe xhaxhanë e njërit prej viktimave të ngjarjes, Aleks Nikës.
Bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika duhet të paraqitet në orën 10:00, kurse xhaxhai i viktimës, Mark Nika në orën 12:00, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Ata thirren si persona që kanë dijeni dhe për të dhënë detaje për hetimin.
Pas një viti kundërshtish gjyqësore nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, SPAK iu bind Gjykatës së Lartë dhe regjistroi “21 janarin” një ditë më parë.
Pavarësisht se në denoncim përmendet ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i brendshëm Lulzim Basha dhe ish komandanti i gardës Ndrea Prendi, SPAK e regjistroi çështjen pa emrat e tyre.
Në njoftimin për shtyp SPAK thotë se e regjistroi procedimin për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi siç shton Prokuroria e Posaçme dyshohet se mund të jenë kryer nga ish funksionarë të lartë shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës. Ashtu siç e urdhëron Gjykata e Lartë SPAK deklarohet kompetent për këto hetime, dhe kërkon të tërheqë fashikujt e 21 janarit pranë Prokurorisë së Tiranës për të zbuluar vrasësit e Aleks Nikës.
Si Gjykata e Lartë edhe SPAK përmend vendimin e Gjykatës Europiane që në nëntor 2023 tha se nuk ishte zbardhur përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues të Gardës.
Në këtë vendim të Strasburgut ku u tregua se shteti kishte dështuar për ta hetuar demonstratën e 21 janarit 2011 thuhet se hetimi ishte ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues.
Si probleme të tjera u numëruan fshirja e regjistrimeve të incidentit dhe mos ndjekja e pistave kyçe të hetimit si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë.
Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim – konsideroi Strasburgu.
Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre , të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.
Por të gjithë familjarët e katër viktimave kërkojnë që tanimë hetimit të zbulojë edhe funksionarët që urdhëruan për tu qëlluar me armë zjarri.
Top Channel