Drejtoria e Burgjeve të Shqipërisë i ka dhënë zyrtarisht leje pesë ditore Fredi Belerit, për të lënë qelinë, në mënyrë që ai të udhëtojë e të bëjë betimin si eurodeputet në Strasburg.
Lajmi fillimisht u raportua ekskluzivisht nga Top Channel, dy ditë më parë. Beleri do të dalë nga burgu i Fierit më datë 15 korrik, pra ditën e nesërme dhe do të rikthehet sërish aty më datë 20 korrik, të shtunën, për të vazhduar kryerjen e dënimit.
Njoftimi i plotë: “Pas kërkesës së të dënuarit Dhionisis (Alfred) Beleri për leje shpërblyese në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamantin Europian në datat 15-20 korrik 2024 në Strasburg, referuar Urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm nr. 733 prot, datë 04.06.2024 “Për përbërjen dhe funksionimin e Bordit të Monitorimit të dhënies së lejes shpërblyese dhe të veçanta për të burgosurit në IEVP” është dhënë leje shpërblyese për të dënuarin Dhionisis (Alfred) Beleri nga data 15 korrik deri në 20 korrik 2024. Pas përfundimit të lejes pesë ditore, i dënuari Alfred Beleri do të kthehet në burgun e Fierit për të vazhduar kryerjen e dënimit, sipas vendimit të GJKKO.”
Ky është një rast i paprecedentë kur një i dënuar me formë të prerë do t’i duhet të lërë qelinë nga një burg shqiptar, e të udhëtojë jashtë vendit.
Ndërkohë nuk dihet ende nëse do të shoqërohet Beleri nga punonjës të policisë së burgjeve shqiptare apo do të jetë policia e Strasburgut ajo e cila do ta presë në aeroport e përsëri do ta çojë në aeroport për kthim në Shqipëri.
Në zgjedhjet e fundit për parlamentin europian Fredi Beleri ishte në mesin e fituesve nga lista e kandidatëve për eurodeputet, të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Beleri ka marrë 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë Demokracia e Re.
Si çdo eurodeputet tjetër, nga data 16 korrik deri në 19 korrik, Beleri duhet të jetë fizikisht në Bruksel për të kryer betimin.
Top Channel