Ministri Mete me Shefen e Misionit të FMN, vlerësime për menaxhimin e financave publike dhe konsolidimin fiskal

12/07/2024 11:15

Ministri i Financave, Ervin Mete, priti në një takim Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anke Weber. Takimi u zhvillua në përmbyllje të vizitës së Misionit të FMN-së në Shqipëri.

Ministri dhe shefja e Misionit të FMN-së biseduan në lidhje me ecurinë e ekonomisë dhe treguesit kryesorë makroekonomikë, duke vlerësuar se përgjithësisht situata makrofiskale në vend paraqitet e qëndrueshme dhe pritshmëritë për rritjen e mëtejshme ekonomike janë pozitive.

Në veçanti Mete përmendi zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, ku rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2023 u vlerësua 3.63%, ndërsa niveli i inflacionit arriti në 2.1 % në muajin qershor, me rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë kur ishte në nivelin 4.5%.

Ministri theksoi faktin se borxhi publik pas një periudhe të gjatë zbriti nën 60% të PBB-së në 58.9% në fund të vitit 2023 dhe projektohet të vazhdojë trajektoren rënëse edhe për periudhën në vijim.

Sa i përket të ardhurave në buxhetin e shtetit, Ministri vlerësoi se niveli i mbledhjes së të ardhurave ka vijuar të jetë pozitiv, ku për periudhën 5-mujore të vitit 2024 ato arritën në rreth 287.1 miliardë lekë, 11.2% më shumë se 5-mujori i vitit 2023, ndërkohë që në fund të vitit parashikohen të arrijnë për herë të parë në 28.8% të PBB-së.

Mete vuri në dukje se tashmë është miratuar Strategjia e re e Menaxhimit të Financave Publike deri në vitin 2030, e cila vë theksin në rritjen e transparencës dhe kontrollit më të mirë të shpenzimeve publike.

Bashkë me shefen e Misionit të FMN, diskutuan gjithashtu edhe mbi rishikimin e Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal. Ministri u shpreh se drafti është në proces finalizimi dhe së afërmi do të publikohet për konsultim publik.

Nga ana e saj, Shefja e Misionit të FMN-së vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Financave në lidhje me garantimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe vijimin e konsolidimit fiskal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA