Rritja ekonomike 3.63%! Vijon tendenca pozitive për tremujorin e parë, kryeson sektori i ndërtimit

09/07/2024 19:38

Edhe këtë vit Shqipëria po vijon të përjetojë rritje ekonomike pozitive.

Të dhënat e tremujorit të parë tregojnë se ekonomia u zgjerua me 3.63%, pothuajse në të njëjtat nivele si në tremujorët e mëparshëm.

Edhe pse historikisht tremujori i parë ka një perfomancë të dobët për shkak konsumit më të ulët të qytetarëve, lokomotiva e ekonomisë, sektori i ndërtimit pati një perfomancë të mirë duke kontribuar me 1.2% në këtë rritje.

Kontribuuesi i dytë më i madh ishte administrata, ndikuar nga rritja e pagave në sektorin publik, si dhe sektori i tregtisë, transportit dhe akomodimit nga ardhja e turistëve.

Ndërkohë ka vijuar tendenca negative e bujqësisë dhe industrisë, sektorët që kanë peshën më të madhe të punësimit, të cilat janë tkurrur.

Sa i përket rritjes së matur me metodën e shpenzimeve tregon se ka pasur rritje të konsumit të popullatës, duke tejkaluar edhe atë të administratës publike. Bashkë me konsumin janë rritur edhe importet, ndërsa në krahun tjetër tkurrje kanë pësuar eksportet e mallrave dhe shërbimeve, pasi produktet Made in Albania janë goditur nga vlerësimi i fortë i euros, që po rrit deficitin tregtar.

Edhe pse institucionet ndërkombëtare kishin parashikuar një rritje më të dobët ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti shenjat nga tremujori i parë nuk tregojnë ngadalësim, ndërsa ndërtimi vijon të jetë një kontribuues i rëndësishëm, që e vendos ekonominë tonë me një nga rritjet më të forta në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA