Kryeministri i sapozgjedhur i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer konfirmoi të shtunën se qeveria e tij e nuk do të zbatonte politikën e paraardhësit për të dëbuar në Ruandë azilkërkuesit, që mbërrijnë në vend me varka të vogla, duke i dhënë kështu fund skemës përpara se ajo të niste të zbatohej.
Partia e Starmer ajo Laburiste fitoi thellë në zgjedhjet parlamentare të së enjtes duke i dhënë fund 14 viteve të qeverisjes shpesh të trazuar të konservatorëve.
Në një konferencë për shtyp të shtunën Starmer tha se “skema e Ruandës ishte e vdekur përpara se të fillonte dhe se ajo nuk i ndalonte flukset emigratorë”.
Ai shtoi se qeveria e tij nuk ishte e përgatitur të vazhdonte me ato që ai i quajti truke, e që nuk shërbejnë për të ndaluar problemin.
Vitet e fundit në Britani kanë mbërritur me dhjetëra mijëra emigrantë nga Azia, Lindjen e Mesme dhe Afrika, shumë prej të cilëve largohen për shkak të luftërave e varfërisë.
Ata mbërrijnë kryesisht përmes Kanalit të La Manshit me varka të vogla, në udhëtime të rrezikshme të organizuara nga banda kriminale.
Ndalimi i fluksit të emigrantëve ishte një prej objektivave kryesorë të qeverisë konservatore, por kritikët e kishin cilësuar të ashtuquajturin plani i Ruandës, çnjerëzor, duke i mëshuar dhe rrezikut që ky vend i Afrikës Lindore, do të paraqiste për emigrantët, për shkak të treguesve të ulët të demokracisë.
Starmer kishte paralajmëruar se qeveria e tij do të hiqte dorë nga plani i Ruandës, sapo të vinte në pushtet, por ekspertët thonë se ajo duhet të ofrojë zgjidhje alternative mbi emigracionin, sikurse edhe për shqetësimet e mëdha që kanë sot britanikët, përfshirë koston e lartë të jetesës.
Top Channel