Nisi sot patrullimi i përbashkët ndërmjet Policisë Rrugore të Shqipërisë dhe Policisë Rrugore të Kosovës.
Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato priti në Morinë, Drejtorin e Policisë Rrugore të Kosovës Jeton Rexhepi dhe patrullat e para të Policisë Rrugore të Kosovës që do patrullojnë me kolegët e Policisë Rrugore shqiptare, në Rrugën e Kombit, Lezhë, Shëngjin dhe Durrës.
Drejtorët theksuan rëndësinë e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
“Jemi këtu së bashku me kolegun zotin Rexhepi, drejtor i Policisë Rrugore të Kosovës, pasi ndërmjet 2 drejtorëve të përgjithshëm të policive është bërë 1 marrëveshje bashkëpunimi për patrullime të përbashkëta gjatë sezonit turistik.
Sot është dita e parë që fillojmë patrullimet, kështu që jemi duke prezantuar shërbimet e përbashkëta, të cilat do të patrullojnë në akset rrugore të rrugës të Rrugës së Kombit, territorin e Lezhës dhe të Durrësit, ku është fluks i madh i qytetarëve kosovarë që frekuentojnë Shqipërinë, qoftë gjatë sezonit turistik që është një numër më i konsiderueshëm, por edhe gjatë gjithë vitit.
Shërbimi do të konsistojë kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë, po dhe për menaxhimin e trafikut, pasi në këtë periudhë, siç e përmenda më parë, ka një fluks të jashtëzakonshëm të qytetarëve nga Kosova që frekuentojnë zonat turistike të Shëngjinit, Velipojës dhe Durrësit, prandaj dhe është menduar që këto akse rrugore do të patrullohen nga patrulla të përbashkëta.
Përveç se do ndikojmë bashkarisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe menaxhimin e trafikut, kjo do shërbejë më së miri për të dyja shërbimet tona dhe për shkëmbimin e përvojave, për komunikimin dhe për një njohje më të plotë të metodave dhe praktikave të punës”, tha Qato.
Top Channel