“Autori më i madh shqiptar”, media italiane për vdekjen e Kadaresë: Me romanet e tij luftoi regjimin komunist në Shqipëri, përdori çdo mundësi

01/07/2024 11:59

E përditshmja prestigjoze italiane, La Repubblica, i ka kushtuar një artikull në faqe të parë lajmit të vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, të cilin e cilësojnë si një nga njerëzit më influencë të Europës së shekullit të 20.

Shkrimi i plotë i La Repubblica

Shkrimtari Ismail Kadare, ishte autor i një vepre monumentale nën tiraninë komuniste të Enver Hoxhës dhe i konsideruar si autori më i madh shqiptar i shekullit të njëzetë dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë, i aftë për të shtjelluar në veprat e tij historinë dhe mitet e vendit të tij në rrëfime me shtrirje universale. Burime nga spitali i Tiranës, të konfirmuara nga botuesi i tij, bëjnë të ditur se Kadare ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak. Ai ishte 88 vjeç.

Shkrimtar, poet, eseist dhe skenarist, gjatë regjimit komunist ka qenë deputet i Kuvendit Popullor për 12 vjet (nga viti 1970 deri në 1982) dhe nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Filloi duke shkruar poezi, por ishte botimi i romanit të tij të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, që e bëri atë figurën dominuese letrare në Shqipëri dhe i dha famë ndërkombëtare. Romani, në të cilin ai tregonte historinë e ndërmarrjes së një gjenerali italian dhe një prifti që donin të kërkonin dhe të sjellin në atdheun e tyre trupat e italianëve të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kadare përdorte çdo mundësi për të goditur regjimin në veprat e tij, me anë të alegorive politike. Aq sa disa romane të tij, si “Koncerti në fund të dimrit”, “Përbindëshi” apo “Pallati i ëndrrave”, janë ndaluar nga shteti komunist.

Kadare ka lindur në Gjirokastër dhe është diplomuar për histori dhe filologji në Universitetin e Tiranës. Ai studioi letërsi për dy vjet në Institutin Gorki në Moskë, por u detyrua të braktisë studimet në Rusi për shkak të marrëdhënieve të komplikuara diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Pas kthimit në vendlindje, ai filloi karrierën e tij si gazetar në një revistë të njohur në vend si Drita; në pak kohë ai u bë i njohur dhe kaloi në drejtimin e revistës Les lettres albanaises.

Në vitin 1990, pasi shprehu publikisht kundërshtimin e tij ndaj udhëheqjes komuniste shqiptare, ai kërkoi azil politik në Francë. Me rënien e regjimit, ai u kthye në atdhe në vitin 1992, duke e ndarë kohën e tij mes Shqipërisë dhe Francës që atëherë. Në vitin 2005 është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar Booker, në vitin 2018 me çmimin Nonino, ndërsa në vitin 2009 ka fituar çmimin Princi i Asturias. Ka qenë disa herë ndër favoritët për çmimin Nobel për Letërsinë, pa e siguruar asnjëherë çmimin. La nave di Teseo, ku vepra e tij është duke u riedaktuar, ka botuar Kukullën (2017) dhe Provokimin (2018), Prillin e thyer (2019), Kronikë në Gurtë, Mëngjeset në Café Rostand (2021) etj etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA