“Një nga mendjet më të ndritura që kishim”/ Nga Grida Duma te Spartak Ngjela dhe Rajmonda Bulku, miqtë kujtojnë Artur Zhejin në ‘Exclusive’
Një vit pas ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji, publicisti Kim Mehmeti ka folur në emisionin “Exclusive” në Top Channel për figurën e tij, duke sjellë në vëmendje kontributin që Zheji dha në gazetari dhe në trajtimin e çështjeve shqiptare.
Mehmeti kujtoi veçanërisht marrëdhënien e Zhejit me shqiptarët në Maqedoni, duke e përshkruar ardhjen e tij si një lidhje me atë që ai e quan “mëmëdheu”.
“Ai erdhi në Maqedoni në njëfarë mënyre na e solli mëmëdheun, biles ashtu siç e paramendonim ne. Se mëmëdheu duhet të ishte i kujdesshëm me ne, duhet të jetë i kujdesshëm ndaj mbarë shqiptarisë. Ai erdhi si gazetar i cili e tregonte këtë kujdes”, u shpreh Mehmeti.
Mehmeti thekson se për Zhejin kujdesi ndaj çështjes shqiptare ishte i natyrshëm, pasi, sipas tij, ai e kishte shqiptarinë pjesë të qenies së vet. Publicisti kujton edhe miqësinë e tyre, e cila, pavarësisht dallimeve në qëndrime, vijoi ndër vite.
“Dhe ai nuk mund të mos ishte i kujdesshëm ndaj shqiptarisë, sepse ai ishte shqiptaria vetë, në bërthamën e vet njerëzore e kishte atë. Unë e kam shkruajtur një tekst të shkurtër me të dhe me Zhejin mbetën miq dhe nuk u ndamë as atëherë kur na ndante shumëçka mes vete”, tha publicisti.
Mehmeti tregon se një prej pikave ku ata kishin mendime të ndryshme ishte angazhimi politik i Zhejit. Ai shprehet se e kishte kundërshtuar aktivizimin e tij në politikë, duke argumentuar se politika kishte konsumuar shumë figura të mençura.
“Për shembull ajo që na ndante, unë nuk do e fsheh, është ky aktivizimi i tij në politikë, që unë e kundërshtoja, se ai më pyeti. Unë nuk doja, sepse politika tek ne gëlltiti shumë koka të mençura, i harxhoi, i harxhoi shumë lirë, i harxhoi shumë shpejt”.
Në rrëfimin e tij, Mehmeti ndalet edhe te mënyra se si Zheji e përjetonte çështjen kombëtare, duke theksuar se ai nuk ishte thjesht një vëzhgues i problemeve shqiptare, por i mbante ato me vete edhe gjatë viteve të punës jashtë vendit.
“Mund të them që ai e përjetonte shqiptarinë, ai përjetonte edhe vuajtjet shqiptare, ai përjetonte dhe problemet shqiptare, për shembull Kosovën ai e mbante me vete, edhe në Itali ku punonte”.
Sipas Mehmetit, Zheji ishte ndër gazetarët e parë që kontribuoi në ndërkombëtarizimin e disa prej çështjeve shqiptare, në një kohë kur zërat shqiptarë në mediat dhe hapësirat publike perëndimore ishin ende të paktë: “Ai është dhe ndër të parët që i internacionalizoi disa çështje shqiptare, se në atë kohë ne harrojmë sot që kemi shumë njerëz që punojnë jashtë që rrëfejnë rrëfimin shqiptar, por asokohe nuk kishte, ishin të paktë. Dhe një Artur ishte shumë i rëndësishëm, sepse në botën perëndimore ta quash, në Itali, ai debatonte, ai bënte shkrime, ai e çonte atje shqiptarinë, problemin shqiptar”.
Një vëmendje të veçantë në kujtimin e Mehmetit zë edhe çështja e shqiptarëve të Maqedonisë së atëhershme. Ai vlerëson rolin e Zhejit në artikulimin dhe nxjerrjen në arenën ndërkombëtare të problematikave me të cilat përballeshin shqiptarët në Maqedoni.
Ai është ndër të parët që e aktualizoi çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë, që e nxorri edhe jashtë, që e aktualizoi edhe ndërkombtarisht”.
Mehmeti e vlerëson këtë kontribut në kontekstin e kohës, kur, sipas tij, institucionet dhe diplomacia shqiptare nuk kishin kapacitetet që kanë sot dhe zërat individualë kishin një rëndësi të veçantë në përcjelljen e problematikave shqiptare.
“Dhe këto ishin që nga prizma e sotme duken goxha punë, mirëpo në atë kohë ku ti nuk kishe as diplomaci shqiptare që funksiononte siç duhej, një njeri si ai bënte shumë dhe vlente shumë dhe ishte shumë i rëndësishëm për ne”, përfundoi Mehmeti.
Top Channel