Zëdhënësja e Komisionit Europian Ana Pisonero i përcolli në emër të krahut ekzekutiv të bllokut urime kryeministrit të ri maqedonas Hristian Mickoski për detyrën, dhe pohoi vullnetin për bashkëpunim me të, me qëllim avancimin e reformave themelore dhe përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën europiane.

Por Pisonero nënvizoi se ka edhe një porosi të qartë për qeverinë e re. “Shkupi zyrtar duhet të shfrytëzojë momentin që ekziston për zgjerim, me qëllim të vazhdojë me vendosmëri rrugën drejt BE-së. Mendoj se të gjithë jeni mjaft të vetëdijshëm për atë që Këshilli i Europës pret nga Maqedonia e Veriut e që lidhet me amendamentet kushtetuese, të cilat vendi është i detyruar t`i zbatojë në mënyrë që të vazhdojë rrugëtimin drejt bllokut europian”, ishte komenti i saj.

Pisonero shtoi edhe se BE-ja tashmë ka thënë se ndjen keqardhje për shkak të mospërdorimit të emrit kushtetues të vendit nga ana e “disa liderëve maqedonas”, por i kujtoi edhe një herë Shkupit pajtimin e tij me Marrëveshjen e Prespës. Problemet e Mickoskit nuk janë vënë vetëm me Greqinë, por edhe me Bullgarinë që ka ngritur ndaj Maqedonisë së Veriut pretendime gjuhësore dhe historike.

Lideri i GERB-it dhe fituesi i zgjedhjeve të fundit në Bullgari, Boyko Borisov, theksoi se marrëveshjet, pavarësisht nëse janë të mira apo të këqija, “sidomos ato ndërkombëtare që janë të thurura në kornizën e negociatave të BE-së, duhet të respektohen”. Borisov tha se do të kërkojë takim me Mickoskin, të cilit i kujtoi se pa mbështetjen e Bullgarisë dhe të Greqisë, nuk ka asnjë shans për anëtarësim në BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA