Deputetja demokrate, Ina Zhupa, në një reagim për raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Akademinë e Shkencave, thotë se auditimi zbardh “arsyen e vërtetë të luftës për mandatin e dytë të Gjinushit: vazhdimin e abuzimeve me paratë publike në emër të Akademisë”.
Sipas Zhupës, Skënder Gjinushi kopsiti një ligj me ndihmësit e tij Koçi-Beqiraj për të garantuar vazhdimin e abuzimeve, injorimin e asamblesë dhe akademikëve dhe zhdukjen e fondeve pa asnjë dokument.
“Vetëm një pseudo studim për covidin, janë gjetur abuzim 240 milion lek. Por sa e sa pseudo studime të tjera dhe abuzime të tjera janë bërë?! Gjinushi pa asnjë botim shkencor vetë, është afërmendsh që Akademinë nuk e donte për shkencë por për fondet publike që menaxhon. KLSH nuk arriti të zbulonte dokumente justifikues për shërbime dhe dieta brenda e jashtë vendit, pasi praktikat nuk ishin shoqëruar me program aktivitetesh, ishin pa data, pa numra protokolli dhe pa përcaktimin e kostove. Për çështjen e madhe të shkrirjes së albanologjisë vetëm për të marr më shumë para Gjinushi nga shteti, KLSH konstanton se: Gjinushi nuk ka hartuar asnjë relacion mbi riorganizimin e këtyre instituteve dhe nuk gjendet asnjë dokument që të provojë se kreu i Akademisë së Shkencave të ketë marrë opinionin ose aprovimin e anëtarëve të tjerë të asamblesë. Këto gjetje që lidhen me injorimin e vendimarrjeve kolegjiale, i ka ngritur me dhjetra raste akademiku Artan Fuga, brenda dhe jashtë Akademisë, por veglat e korrupsionit vështirë se do i pranonin se ju priteshin krahët”.
Akademia e Shkencave, nën drejtimin e Gjinushit, nuk ka vendosur në dispozicion të audituesve shtetërorë asnjë dokumentacion mbi mënyrën se si është hartuar projekt-buxheti i institucionit, thotë Zhupa në reagimin e saj në “Facebook”.
“Pikërisht këto gjetje ulëritëse në një institucion që duhet ishte djepi i urtësisë, shkencës, kontributit për vendin, tregojnë se ku është katandisur Akademia e Shkencave nën drejtimin e Gjinushit. Ato para publike jepen për akademikët e nderuar, për shkencëtar e rinj, për studime themelore për vendin dhe jo për “rrush e kumbulla” dieta e udhëtime të kryetarit dhe adjutantëve të tij.
Ky raport do jetë baza për hetime të thelluara nga ana e drejtësisë shqiptare, sepse nuk mund të lejohen oaze korrupsioni dhe abuzimi në emër të shkencës që nuk bëhet”.
Top Channel