Ndeshjet e para në grupe në “Euro 2024” kanë përfunduar dhe është koha për të bërë vlerësimet e para.
Mes surprizave dhe konfirmimeve, tashmë ka nga ata që luajnë për të qenë të parët në grup dhe të tjerë që duhet të fitojnë patjetër për të shpresuar për më tej. Nga goleada e Gjermanisë, te fitorja befasuese e Sllovakisë, duke kaluar te rekordet e Portugalisë dhe Turqisë, Sportmediaset rendit surprizat e këtij kampionati.
Fillimi ishte mirë, por çfarë vuajtje!
Franca dhe Angli, dy nga skuadrat favorite, e nisën me fitore të ngushtë me rezultatin 1-0 ndaj Austrisë dhe Serbisë. Dy paraqitje të ngjashme, të cilat panë skuadrat e Deschamps dhe Southgate të nisin mirë dhe të gjenin golin, por më pas iu desh të mbrohen dhe të vuajnë deri në frymën e fundit për të marrë tre pikët. Është e vërtetë që jemi vetëm në fillim, por gjithmonë pritet shumë nga këto dy skuadra. Tashmë, janë dy ndeshjet më të komplikuara me Holandën për “Gjelat” dhe “Tre Luanët”, ndërkohë që në pikëpyetje është prania në fushë e Mbappe.
Gjermania dhe Spanja ON TOP
Gjermania mikpritëse nuk gaboi në debutimin e saj, duke mundur qartë Skocinë 5-1 në ndeshjen hapëse dhe duke demonstruar menjëherë një gjendje të shkëlqyer fizike. Skuadra e Nagelsmann fitoi me 101 pasimet e bëra me korrektësi nga Toni Kroos, duke treguar cilësitë e tij fenomenale. Por sa pasime të gabuara kishte nga ish-mesfushori i Realit? Vetëm 1! Spanjës i mjafton një pjesë për të siguruar tre pikët ndaj Kroacisë. Skuadra e De la Fuente bëri një lojë të shkëlqyer. U duk qartë muroja e jashtëzakonshme e Lamine Yamal apo performanca e shkëlqyer nga Morata. Por, surpriza më e madhe erdhi nga mbrojtja, ku Dani Carvajal gjeti golin e parë me Kombëtaren në një kampionat europian. Ndeshjet e radhës janë vendimtare për të dyja skuadrat, që përkatësisht, përballen me Hungarinë dhe Italinë.
Italia dhe Holandë, çfarë karakteri!
Kampionati europian nisi mirë edhe për Italinë dhe Holandën. Të dyja skuadrat pësuan një gol në fillim (me axurët që u befasuan nga Nedim Bajrami, që shënoi golkin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian), por ia dolën më pas të përmbysin rezultatin.
Skuadra e Spallettit reagoi menjëherë ndaj Shqipërisë, duke shënuar dy gola brenda pak minutash e duke ruajtur avantazhin deri në fund. Gjërat shkuan ndryshe për Holandën. Pasi mbeti mbrapa ndaj Polonisë, skuadra e Koeman u mundua shumë për të gjetur fitoren: goli i barazimit erdhi nga një goditje e Gakpo e devijuar nga mbrojtja polake, ndërsa goli vendimtar i Weghorst mbërriti vetëm pak minuta më vonë. Ndeshjet e radhës, përballë Spanjës dhe Francës janë shumë të rëndësishme për të dy ekipet.
Belgjikë – Sllovaki dhe Ukrainë – Rumani, ndjenja të kundërta
Kthesat e para të mëdha të “Euro 2024” vijnë nga Grupi E. Dy skuadrat favorite, Belgjika dhe Ukraina, humbën në ndeshjet hapëse, duke e vënë në pikëpyetje kualifikimin në fazën tjetër. Në ‘derbin’ italian ndërmjet Tedesco-s dhe Calzona-s, ish-trajneri i Napolit triumfoi, duke mposhtur bashkëkombasin e tij falë golit të Schranz. Nëse do të kishte një çmim për lojtarin më të keq të ndeshjes, Romelu Lukaku me siguri do të fitonte: sulmuesi belg dështoi në disa raste të shënojë golin e barazimit. Duhet thënë gjithashtu se Belgjika nuk u ndihmua nga teknologjia, duke pasur parasysh dy golat e anuluar nga VAR. Një histori tjetër rezervohet për Ukrainën, e cila para ndeshjes ndaj Rumanisë i kishte të gjitha shanset në anën e saj. Por, falë një paraqitjeje të shkëlqyer nga djemtë e Jordaneskut dhe gabimeve të Luninit, skuadra e Rebrov u shkri nën diellin e Mynihut. Në vijim, Belgjika do të përballet me Rumaninë, ndërsa Sllovakia do të sfidojë Ukrainën. Dy ndeshje drithëruese, që do të përcaktojnë fatin e grupit.
Zvicra dhe Turqia: misioni i përballuar
Ndër skuadrat që patën ndeshjen “më të lehtë” në letër janë Zvicra dhe Turqia, të dyja fituese ndaj Hungarisë dhe Gjeorgjisë. Një paraqitje e fortë e skuadrës së Vincenzo Montella -s , i cili edhe pse vuajti herë pas here, arriti të rrëmbejë tre pikë falë magjisë së Muldur dhe Arda Guler. Mbrëmje historike për sulmuesin e Real Madridit (18 vjeç e 317) ditë, i cili mposhti rekordin e Cristiano Ronaldos (19 vjeç e 128 ditë), duke u bërë lojtari më i ri që ka shënuar ndonjëherë në debutimin e tij në Kampionatin Evropian. Por jo vetëm kaq, falë golit të tij, u bë lojtari i tretë më i ri që ka shënuar gol nga jashtë zonës në një turne të madh ndërkombëtar që nga viti 1980, pas Wayne Rooney (18 vjeç dhe 241 ditë) dhe Renato Sanches (18 vjeç e 317 ditë). Numrat nuk gënjejnë kurrë. Dy skuadrat i presin dy ndeshje të rëndësishme: Turqia do të përballet me Portugalinë, ndërsa Zvicrën e pret Skocia.
Portugalia e të rinjve dhe veteranëve
Skuadra e fundit që doli në fushë sipas rendit kronologjik ishte Portugalia e Cristiano Ronaldos. Falë pranisë së tij në ndeshjen kundër Republikës Çeke, Cristiano Ronaldo u bë futbollisti i parë në histori që luan në 6 kampionate evropiane (2004, 2008, 2012, 2016, 2020 dhe 2024). Një rekord jo i vogël, i cili shkon paralelisht edhe me atë të arritur nga Pepe, i cili në moshën 41 vjeç, 3 muaj e 23 ditë, u bë lojtari më i vjetër që ka luajtur ndonjëherë një ndeshje në këtë event, duke mposhtur hungarezin Gabor Kiraly. Skuadra e Roberto Martinezit arriti të kapërcejë pengesën çeke dhe tashmë pret ndeshjen vendimtare për të siguruar kryesimin e grupit, kundër Turqisë së Vincenzo Montella-s. Kështu, Portugalia po shijon të rinjtë dhe veteranët e saj.
Lajmi i vërtetë, shkruan Sportmediaset, është mungesa e golave nga sulmuesit më të mëdhenj. Kane, Ronaldo, Lukaku, Scamacca, Vlahovic, Mbappe, Lewamdowski dhe Leao nuk ia dolën të gjenin rrugën drejt portës. Megjithëse skuadrat e tyre kanë fituar pothuajse të gjitha, është e çuditshme të mos shohësh sulmues të këtij kalibri duke shënuar. Një shifër që nuk duhet të alarmojë tifozët e kombëtareve të ndryshme, por që gjithsesi pasqyron nivelin e mirë të treguar deri tani nga mbrojtësit. I vetmi që ka “shpëtuar” nga ky gjykim është padyshim Lewandowski, që mungoi për shkak të dëmtimit ndaj Holandës. Nga ana tjetër, kanë ardhur konfirmime nga lojtarë si Bellingham, Gakpo, Morata, Fulkrug, Havertz dhe Embolo, të cilët shënuan gola dhe u bënë vendimtarë në ndeshjet e para.
Top Channel