Liqeni i Doftisë në Gjirokastër është shndërruar në një atraksion turistik, sidomos për të huajt që janë të pasionuar pas udhëtimeve në natyrë.
Është një nga shtigjet më të promovuara së fundi në rrethinat e Gjirokastrës dhe Libohovës. Shtegu mund të zgjidhet për adrenalinën e off roadit por edhe për natyrën e jashtëzakonshme të rrethuar nga liqene nga kodra me mundësi të shumta për të vëzhguar zogjtë. Gjithashtu janë resurse të pamata të natyrës siç është ujëvara e Selckës drejt së cilës po shkojmë sot me mundësi për eksploruar kanionet dhe shpellat por edhe ushqimin e rrallë të fermave që janë ende autentike në këtë zonë.
Vasili që shoqëron sot në këtë aventurë një grup të vogël studentësh spanjollë tregon se interesi për eksplorim po rritet por sipas tij është e nevojshme rritja e përgjegjësisë për mirëmbajtjen e këtyre aseteve.
“Rajoni i Gjirokastrës e ka pasur pak të zhvilluar turizmin e aventurës. Kemi vënë re se këto 3-4 vitet e fundit pas pandemisë ka pasur një rritje të jashtzakonshme të turistëve që duan të vizitojnë këto vendet e izoluara ose “hidden gems” siç i quajmë ne. Kemi të bëjmë me një aventurë mesatarisht të lehtë dhe kërkesa është me e lartë në raport me vitet e kaluara”, u shpreh operatori turistik Vasil Garo.
Eleazar, Diego dhe Lucia të tre studentë nga Spanja janë duke përfunduar një praktikë 3 mujore në sektorin e turizmit në Gjirokastër. Ata kanë mësuar shumë dhe kanë kontribuar në ngritjen e produkteve ndërsa kanë shijuar shumë aventura si kjo e sotmja në lumin e Suhës.
“Kultura dhe dielli dhe njerëzit e Shqipërisë kanë qenë gjëra të bukura për tu jetuar. Kemi bërë shumë gjëra, kemi gatuar kemi thurur me shtiza kemi ecur, kemi kalëruar por gjëja më e bukur këtu janë njerëzit”, tha studentja Lucia Camarena Ramiro.
“Shqipëria ishte eksperience shumë e mirë. Kam bërë shumë gjëra por më e rëndësishmja është që i kam bërë ato me njerëzit e duhur. Dhe natyra është më e bukura që kam parë , mahnitëse. Shikoni gjithë këto male, lumin dhe shpellën. Ku ka më mirë”, tha studenti Eleazar Mayordomo Bolta.
“Këtu po gatuajmë një recetë me spec dhe gjizë. Kjo është një pjatë tipike e zonës. Produktet i mbledhim nga zona dhe janë bio”, tha njw amvisw nw njw bujtinw lokale.
Eksplorimi i shtigjeve off road buzë lumit Drino dhe liqenit të Doftisë, ngjitja drejt ujëvarës së Selckës për të eksploruar kanionin dhe shpellën dhe më tej ngjitja drejt Labovës së Kryqit për të shijuar ushqimin lokal e për të vizituar një monument 1000 vjeçar nga më të rrallët në vend përfaqësojnë një ofertë mikse plot adrenalinë dhe shije për të shpenzuar një ditë aktive larg jetës urbane.
Top Channel