Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka dhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj u takuan këtë të martë në mjediset e Parlamentit Italian me kryetarin e grupit parlamentar të Forza Italia Paolo Barreli dhe deputetin Alessandro Batilocchio.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike diskutuan mbi situatën në Shqipëri dhe cenimin e standardeve demokratike.
Fokus i bisedës ishte masa “arrest shtëpie” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Deputetët e PD theksuan nevojën e një sensibilizimi që Italia, një vend i madh europian, të bëjë në lidhje me burgosjen e Berishës në nivel kombëtar dhe paneuropian.
“Është detyrë morale e një vendi mik që të mos konsiderojë vetëm marrëdhëniet ndërshtetërore por edhe çështje të demokracisë së brendshme.
Sali Berisha është një kontribut dhe simbolikë politike jo vetëm në raportet e Shqipërisë me Forca Italia, por edhe Italinë dhe Europën. Zgjedhjet në Shqipëri, u theksua, nuk janë më çështje alternativash, por bandash”, theksuan ata.
Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian deputetët e PD ofruan mbështetje për partinë e tyre simotër duke i bërë thirrje komunitetit shqiptar të votonin për kandidatët e Forza Italia.
Noka dhe Gjekmarkaj zhvilluan një takim edhe me kryesinë e degës së PD në Romë.
Top Channel