“Balluku bëhet mur i pakalueshëm në rrugën drejt BE-së”, Berisha për Raportin e Progresit: Shumica vazhdon të vonojë zbatimin e disa vendimeve të GJK

05/11/2026 14:03

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas gjetjeve të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Në një konferencë për mediat, Berisha kritikoi shumicën parlamentare për refuzimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe për votimin kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Berisha e cilësoi këtë të fundit si një pengesë në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa e akuzoi atë dhe kryeministrin Edi Rama për përfshirje në afera korruptive.

“Komisioni thotë se, pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeteje, Lubi Ballukut është fjala. Kjo ngre shqetësime për kontrollin e ndërsjellë mes pushteteve dhe për barazinë para ligjit.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, në rrugën drejt BE-së, drejt asaj të ardhmeje që ka qenë dhe është ëndrra më e bukur e shqiptarëve, mur i pakalueshëm bëhet hajdutja më e madhe në historinë e këtij kombi, pas Edi Ramës, Lubi Balluku. Prandaj dhe unë nuk kam dëshirë ta personalizoj një raport ndërkombëtar, por në çdo fjalë lexohet emri i Padrinos.

Vazhdon, shumica vazhdon të rezistojë dhe të vonojë zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Berisha.

Top Channel