Investigimi i Rai 3, Berisha thërret protestë para Parlamentit nga arresti shtëpiak: Të enjten të kërkojmë qeveri teknike

03/06/2024 14:23

Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi protestë para Parlamentit këtë të enjte, për të kërkuar largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.

Nëpërmjet një videoje live nga arresti shtëpiak, Berisha u bëri thirrje mbështetësve të mblidhen masivisht jashtë Kuvendit, në orën 11:00. Kërkesat janë dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Ish-kryeministri njoftoi protestën një ditë pas publikimit të pjesës tjetër të investigimit të RAI 3 për “politikanët e përfshirë në krim”. Berisha akuzoi Ramën se ka krijuar një ‘narkoshtet’ që po u merr pasuritë shqiptarëve dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria.

Këta janë mafiozët në pushtet. Është ky narkoshtet që ne denoncuam para jush me forcën më të madhe dhe në opinionin publik botëror, që me vendimin e kanabizimit të Shqipërisë, që dikton çdo ligj, çdo kod, çdo rregull. Është ky narkoshtet që me fuqinë e tij ndërmori agresionin më të pashembullt ndaj shqiptarëve, i zboi ata si kurrë në histori nga vatrat e tyre. Është ky shtet i krimit dhe mafias, që nuk njeh norma, ligje, kushtetutë. Që mobilizon mafian ndërkombëtare në një sulm të pashembullt për shkatërrimin e opozitës shqiptare si zëdhënëse e vetme e qytetarëve të ndershëm shqiptarë. Është ky narkoshtet me në krye Ramën, që po ndan me familjarët e vet fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve. Ahmetaj është dëshmitar okular, që i ka parë në zyra Pëllumb Gjokën, Troplinët, Avdylët, Rraja, Dervishët, Çelën, duke marrë urdhra kundër opozitës. Bajrat morën urdhra për vjedhjen e votave.

Në mënyrë të përsëritur, kemi denoncuar dyshimet shumë të mëdha që ekzistojnë në përdorimin e Ismailit, avionit taksi të Ramës për transportin me baule diplomatike të ngarkesave të mëdha të narkoeurove dhe kokainës. Jemi në një narkoshtet që me tentakulat e tij ka zhdukur votën e lirë, po plaçket pasuritë e shqiptarëve.

Kjo ishte vetëm maja e ajsbergut të narkoshtetit shqiptar, se nëse do të njiheshit me dosjet e 7 familjeve mafioze që u larguan nga vendi pa u hyrë ferra në këmbë, nëse do njiheshit me dosjen McGonigal, e mafias që me Ramën vepron kundër shqiptarëve, do të kuptonit që ajo që keni dëgjuar është vetëm 1% e asaj që ju kërcënon qenien tuaj, fëmijët tuaj, pasuritë tuaja.

Ju bëj thirrje, të enjten, në orën 11:00 të grumbullohemi para parlamentit të krimit për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të narkoshtetit shqiptar Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Beteja jonë është betejë për jetë a vdekje për të ardhmen tonë. Ju ftojmë të lini çdo gjë, të mblidhemi para Parlamentit. O sot o kurrë, fitore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA