Sulmet ajrore nga Izraeli, mjekët palestinezë: Janë vrarë 35 persona në Rafah

27/05/2024 10:39

Punonjësit shëndetësorë palestinezë thanë se sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 35 veta të dielën dhe goditën tendat e të zhvendosurve në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se gratë dhe fëmijët përbëjnë shumicën e të vrarëve dhe dhjetëra të plagosurve.

Sulmet u kryen dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin t’i jap fund ofensivës së tij ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës kishte kërkuar strehim përpara ndërhyrjes së Izraelit në fillim të këtij muaji. Dhjetëra mijëra njerëz mbeten në zonë ndërsa shumë të tjerë janë larguar.

Në pamjet nga skena e sulmit ajror shihen shkatërrime të rënda. Ushtria izraelite konfirmoi sulmin dhe tha se goditi një objektiv të Hamasit dhe vrau dy militantë të lartë të tij. Ushtria tha se po hetonte raportet për dëme në mesin e civilëve. Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ishte në Rafah të dielën dhe u informua për “thellimin e operacioneve” atje, njoftoi zyra e tij.

Një zëdhënës i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet, ndërsa përpjekjet e kërkim shpëtimit vazhduan në lagjen Tal al-Sultan të Rafahut rreth dy kilometra në veriperëndim të qendrës së qytetit.

Shoqata pohoi se vendi i sulmit ishte përcaktuar nga Izraeli si një “zonë humanitare”. Lagjja nuk përfshihet në zonat nga të cilat ushtria izraelite urdhëroi evakuimin në fillim të këtij muaji.

Sulmi ajror u raportua disa orë pasi Hamasi lëshoi një breshëri raketash nga Gaza. Sulmi është një sinjal se Hamasi është ende në gjendje të sulmojë me raketa Izraelin, pavarësisht ofensivës ushtarake shtatë mujore izraelite nga ajri dhe toka në Rripin e Gazës.

Nuk pati njoftime për viktima në atë që dukej të ishte sulmi i parë me raketa me rreze të gjatë veprimi nga Gaza që nga muaji janar. Përgjegjësinë e mori krahu ushtarak i Hamasit. Ushtria izraelite tha se tetë predha kaluan në Izrael pasi u lëshuan nga Rafahu dhe “një numër” i tyre u rrëzua ndërsa u shkatërrua edhe hedhësi i raketave.

Më herët të dielën u raportua se kamionët me pako ushqimore kishin hyrë në Gazë nga Izraeli jugor në bazë të një marrëveshjeje të re për të anashkaluar vendkalimin në Rafah.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit la të vrarë afro 36,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk bën dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve. Izraeli fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve, sepse militantët veprojnë në zona të dendura banimi.

Rreth 80 për qind e 2.3 milionë banorëve të Gazës kanë ikur nga shtëpitë e tyre, uria e madhe është e përhapur dhe zyrtarët e OKB-së thonë se disa pjesë të territorit po përjetojnë zi buke.

Hamasi nxiti luftën me sulmin e tij të 7 tetorit në Izrael, gjatë të cilit militantët palestinezë vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe kapën rreth 250 pengje. Hamasi ende mban rreth 100 pengje dhe trupat e rreth 30 të tjerëve. Të tjerët u lirua gjatë një armëpushimi vitin e kaluar.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli duhet të marrë kontrollin mbi Rafahun për të eliminuar batalionet e mbetura të Hamasit dhe për të arritur “fitoren e plotë” ndaj militantëve, të cilët së fundmi u rigrupuan në pjesë të tjera të Gazës./REL

Top Channel