SHBA nis armë në Tajvan: Ushtria e Kinës na dërgoi një mesazh!

27/05/2024 12:07

Shtetet e Bashkuara do të jenë në mënyrë të padiskutueshme në krah të Tajvanit në rastin e një agresioni nga ana e Kinës, pohoi në Taipei zyrtari i lartë amerikan, Michael McCaul.

Ai sqaroi gjatë vizitës së parë të një kongresmeni amerikan ne ishullin e vetëqeverisur që prej zgjedhjes së presidentit të ri, se armët e porositura prej tij janë rrugës. “Lojërat kineze që u ngjajnë luftërave, e kanë rritur nevojën për të forcuar kapacitetet e këtij ishulli në fushën e mbrojtjes”, tha McCaul.

 “Ne po e çojmë përpara punën sa u përket sistemeve të armëve. Do të doja të shihja punë më të shpejtë, megjithatë mund t`ju them se armët po vijnë”, tha kongresmeni Michael McCaul.

Kina e konsideron Tajvanin territor të padiskutueshëm të saj dhe është zotuar ta fitojë kontrollin e tij edhe përmes forcës, nëse është nevoja. Qeveria e Tajvanit, në anën tjetër, hedh poshtë pretendimet e Pekinit për ishullin. Dy vitet e fundit, Tajvani është ankuar për vonesa në marrjen e armëve amerikane, si raketat Stinger, për shkak se prodhuesit amerikanë janë duke furnizuar Ukrainën me armë, teksa e lufton pushtimin rus.

McCaul, drejtues i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, u shpreh se me stërvitjet masive të javës së kaluar, Kina i dërgoi Washingtonit një mesazh të fuqishëm. Tajvanit, shtoi ai, i duhen mjaftueshëm armë, në mënyrë që presidenti kinez, Xi Jinping të kuptojë që rreziqet e pushtimit të ishullit i kapërcejnë përfitimet.

Top Channel