Qyteza e pasur gjermane ku e djathta ekstreme është në rritje, ankohet se i quajnë ‘nazistë’ (fotot)

27/05/2024 17:31

E mbushur me kolona të mprehta kishash në stil gotik, qendra 1,000-vjeçare e qytetit Kaufbeuren në Bavari i ka shpëtuar bombardimeve të Luftës II Botërore e gjithashtu shkarravinave të vandalëve.

Papunësia këtu është shumë e ulët dhe ushtria gjermane u tërhoq nga planet për të vendosur aty një shkollë aviacioni për gjuajtësit Eurofighter e Tornado.

Por teksa votuesit duhet të zgjedhin përfaqësuesit e Parlamentit Evropian muajin që vjen, zyrtarët ngrejnë alarmin e rritjes së mbështetjes për të djathtën ekstreme ‘Alternative für Deutschland’ (AfD) në një nga qytetet më të pasura të vendit.

Lidhja e banorëve me këtë forcë nuk është lëkundur megjithë disa skandale të AfD, si tërheqja e Maximilian Krah nga elita e partise, pas deklaratës për rrjetin italian La Repubblica se “nazistët e grupeve SS, nuk ishin të gjithë kriminelë” dhe se duhet të gjykohen sjpas fajit “fajit individual”.

Krah ishte sinjalizuar gjithashtu për lidhje të dyshuara me Kinën e Rusinë, pas arrestimit të një ndihmësi me akuza të ngjashme, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Pas dorëheqjes së tij, zyrtari tha për mediat se akuzat janë “një tentativë largimi të vëmendjes nga argumentet tona politike” dhe kërcënoi veprim ligjor ndaj të akuzuarve.

Sondazhet tregojnë se AfD shkon drejt zgjedhjeve të PE me 14-18% të mbështetjes, më poshtë nga 23% që zotëronte në fund të vitit të shkuar, por shumë më lart se 11% që kishte në 2019. Kështu që megjithë problemet, Krah duket se ka të siguruar vendin në PE.

AfD vijon të fitojë territor në jugun e pasur të Gjermanisë, ashtu si dhe në lindjen ish-komuniste, me pikëpamjet e saj kundër emigracionit apo luftës në Ukrainë, çka i ka dhënë nxitje dhe lëvizjeve lokale pro-demokraci.

Një në çdo pesë votues në Kaufbeuren, mbështeti AfD në zgjedhjet e fundit teksa mbështetësit e Krah refuzojnë politikat e koalicionit të majtë të Olaf Scholz.

“Është një katastrofë, qeveria më e keqe që kemi pasur ndonjëherë”, tha punonjësja civile Manuela, 55 vjeçe, e cila si shumë mbështetës të AfD refuzonin të jepnin mbiemrin. Ajo kishte ardhur në mitingun e të djathtës bashkë me të bijën adoleshente, teksa tha se “nuk ndjehej më e sigurtë në rrugë prej islamistëvë”.

Maximilian Krah, javen e kaluar ne Kaufbeuren, Bavari

Disa aktivistë anti-AfD ishin mbledhur pranë takimit të Krah, për të cilët Manuela tha: “Ata atje na quajnë nazistë sepse ne jemi patriotë. Bota po tallet me ne pasi Gjermania është një vend budalla, me tolerancë të ekzagjeruar për politika si emigracioni, diversiteti etj. Ata na mësojnë prej dekadash se duhet të jetojmë me ndjenjën e fajit të holokaustit, prandaj duhet të shpëtojmë të gjthë botën dhe të bëhemi kopshti i saj i azilit”.

Shumë votues të AfD thanë se kundërshtojnë mbështetjen ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën dhe se janë të shqetësuar për kundërvënien ndaj Rusisë.

Krah, baba i tetë fëmijëve, tha në fjalën e tij se nuk do të lejonte që djali i tij 21-vjeçar të bëhet “mish për top në frontin e lindjes”  nëse Gjermania rinis shërbimin e detyruar ushtarak, siç ka nisur të propozojë ministri i mbrojtjes Boris Pistorius.

Krah paralajmëroi se Kaufbeuren dhe rajoni rrethues i Swabia, “nga më të pasurit në Gjermani”, po kërcënohet nga politikanë që kërkojnë të heqin të drejtat e tyre me politika si “mbrojtja klimatike” apo “emigracioni masiv”. Ai u prezantua gjithashtu si mbrojtës i familjes tradicionale kundër atyre që u mësojnë fëmijëve se “ekzistojnë 53 gjini”. /The Guardian/

FOTO GALERI
3/3
Maximilian Krah, javen e kaluar ne Kaufbeuren, Bavaria,

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA