“Fitojnë” fermerët”! Protestat masive, tërhiqet BE-ja

27/05/2024 12:03

Reagimi i BE-së ndaj protestave masive të fermerëve që përfshinë disa vende të bllokut me bllokime rrugësh e djegie gomash, janë kthyer tani në temë të rëndësishme të fushatës zgjedhore përpara zgjedhjeve për parlamentin europian ne qershor.

Fermerët u mobilizuan kundër rënies së çmimeve, importeve bujqësore nga Ukraina ose heqjes së subvencioneve. Kjo pati efektin e vet: BE lehtësoi rregullat e politikës së përbashkët bujqësore që supozohej të mbronte klimën dhe habitatet.

Brukseli së fundi ka vendosur të lehtësojë kërkesat minimale që fermat duhet të plotësojnë për të marrë subvencione. Në këtë kuadër, fermerët mbeten të përjashtuar nga detyrimi për të lënë disa fusha djerrë për mbrojtjen e specieve. Fermat e vogla tani nuk duhet të presin më kontrolle dhe sanksione. Sipas të Gjelbërve, problemi nuk janë kërkesat e larta mjedisore, por të ardhurat e ulëta që fermerët marrin për produktet e tyre. Industria ushqimore dhe shitja me pakicë qenë në gjendje t’ua diktojnë çmimet fermerëve.

BE shpenzon një të tretën e buxhetit që ka në bujqësi, kryesisht për të mbështetur fermerët. Me 55 miliardë euro në vit, është një nga zërat individualë më të rëndësishëm në buxhet. Linjat kryesore të politikës së përbashkët bujqësore përcaktohen nga BE për një periudhë shtatëvjeçare. Për periudhën aktuale, e cila zgjat deri në vitin 2027, ndihma ndahet gjithashtu kryesisht në bazë të sipërfaqes: fermat e mëdha marrin më shumë. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, u premtoi fermerëve në fund të verës së kaluar më shumë dialog dhe më pak polarizim.

Në shkurt, ajo tërhoqi propozimin e saj për të përgjysmuar përdorimin e helmeve bujqësore deri në vitin 2030, në mënyrë që të ndalojë zhdukjen e specieve.

Top Channel