Maqedonia e Veriut, përsëritet votimi në shtatë qendra të vendit! Mund të ndikojë në përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve të 8 majit

22/05/2024 17:57

Në Maqedoninë e Veriut po përsëritet votimi në shtatë qendra të votimit të zonave zgjedhore numër pesë dhe gjashtë, në perëndim dhe jug-perëndim të vendit.

Nga përsëritja e procesit në këto qendra koalicioni “Fronti Evropian”, drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, mund të humbasë një deri në dy deputetë të fituar në zgjedhjet e 8 majit dhe sipas ekspertëve ata pritet t’i kalojnë koalicionit “Vlen” dhe VMRO-së, apo Lidhjes Social Demokrate.

Mbi 4 mijë e 500 votues të regjistruar për rivotimin e së mërkurës në shtatë qendra të zonave zgjedhore 5 dhe 6 mund të ndikojnë në përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

Zona e pestë zgjedhore përfshin Pollogun dhe rajone të tjera në perëndim të Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, zona e gjashtë: Ohrin, Strugën, Krushevën me Dollnenin dhe disa vendbanime të tjera.

Pas ankesave të koalicionint të partive shqiptare “Vlen” për parregullsi në procesin e votimit të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, përkatësisht Gjykata Administrative vendosi rivotimin në fshatin Llërcë të Komunës së Zhelinës, pranë Tetovës dhe në bazë të ankesave të VMRO-së, Lidhjes Social Demokrate dhe partisë nacionaliste “E Majta”, vendosi përsëritjen e votimit në dy qendra votimi në Krushevë, një në Ohër, një në Strugë dhe dy në Dollnen të zonës së pestë zgjedhore.

Ekspertët thonë se nga rivotimi koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja mund të humbasë dy deputetë; një në zonën e pestë që mund t’i kalojë koalicionit “Vlen” dhe një deputet tjetër në zonën e gjashtë, ku mund të përfitojë VMRO-DPMNE-ja ose LSDM-ja.

Nëse kjo ndodh, koalicioni “Fronti Evropian” nuk do të renditet i dyti , teksa VMRO-ja nëse e fiton ligjvënësin në zonën e pestë do të siguronte 59 nga 120 vendet në parlament. Në rast se edhe koalicioni “Vlen” e merr një mandat deputeti pas rivotimit të sotëm, do të arrinte numrin prej 14 vendesh në parlament, duke fuqizuar në këtë mënyrë koalicionin e pritshëm qeveritar me VMRO-në.

Interesimi për të votuar në fshatin Llërcë pranë Tetovës ka qenë më i lartë se në qendrat tjera të votimit dhe në përgjithësi në të gjitha vendvotimet është vërejtur një përfaqësim më i lartë prej rreth 4 përqind në krahasim më zgjedhjet e 8 majit.

BDI-ja dhe “Fronti Evropian” e kanë cilësuar vendimin për rivotimin si “një skenar të përbashkët i të gjitha partive dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për ta devijuar vullnetin e popullit dhe shkelur legjitimitetin e dalë nga procesi i votimit më 8 maj”.

Ndërkaq, “Vlen” dhe VMRO akuzojnë BDI-në për blerje votash, për trysni dhe shantazhe ndaj votuesve në zgjedhjet e para dy javëve.

VMRO dhe “Vlen” mund të arrijnë një marrëveshje deri në fund të javës për ndarjen e ministrive dhe posteve të tjera qeveritare dhe për programin e kabinetit qeveritar të drejtuar nga Hristijan Mickovski.

Por, këto parti, që kur filluan bisedimet nuk kanë shpjeguar qëndrimin lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese për të futur pakicën bullgare, që paraqet kusht për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Zoti Mickovski ka përsëritur shprehjen se qeveria e tij nuk do të veprojë sipas diktatit bullgar.

Nga ana tjetër, mosrespektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me Greqinë dhe Bullgarinë mund të zvarrisë edhe më tej procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së./ voa

Top Channel