Qëlloi mbi kryeministrin sllovak, 71 vjeçari para gjykatës nën masa të forta sigurie

18/05/2024 16:36

Personi i akuzuar për tentativën e vrasjes së kryeministrit sllovak, Robert Fico, u paraqit sot në gjykatë për masën e paraburgimit.

I akuzuari, i identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71-vjeçar, qëlloi pesë herë mbi kreun e ekzekutivit pas një takimi që ai kishte zhvilluar me mbështetës të partisë së tij në Handlova. Forca të shumta policore ishin mbledhur përpara gjykatës teksa shoqërohej aty ish roja i sigurisë, një shkrimtar amator.

Fico u dërgua me urgjencë në spital me helikopter, dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale disa orëshe. Njëri prej plumbave i shpoi tejpërtej stomakun. Ministri i brendshëm sllovak Matus Sutaj Estok pohoi për mediat lokale se nëse goditja do të kishte qenë vetëm pak centimetra më lart, do t`i kishte kapur mëlcinë. Edhe pse u mendua se gjendja e 59 vjecvarit u stabilizua, mësohet se të premten, kryeministri sllovak i është nënshtruar një operacioni të dytë.

“Pacienti vazhdon të jetë ende në repartin e terapisë intensive”, pohuan mjekët në spitalin e qytetit  sllovak Banska Bystrica. Gjykata në Pezinok do të shqyrtojë kërkesën e prokurorit që Cintula të jetë në paraburgim, teksa akuzohet për tentaivë vrasjeje me paramendim. Ai rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm. Të shtënat në Sllovaki ndodhën tre javë përpara zgjedhjeve vendimtare për Parlamentin Evropian, në të cilat partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë në bllokun 27-anëtarësh duket se do të shënojnë përparime.

Top Channel