Sulmoi bashkëshortin e zyrtares amerikane Nancy Pelosi, autori dënohet me 30 vite burg

17/05/2024 21:24

Burri që sulmoi bashkëshortin e ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, është dënuar me 30 vjet burg.

David DePape u dënua për sulm dhe tentativë rrëmbimi në nëntor pas një gjyqi një javor në San Francisko.

Pas sulmit, 84-vjeçari Paul Pelosi, u shtrua në spital për gjashtë ditë me kafkë të thyer dhe lëndime të tjera. Pelosi kishte kërkuar që autorit DePape t’i jepej një dënim i merituar.

Prokurorët i kishin kërkuar gjyqtarit që DePape të dënohej me 40 vjet burg. Ai po ashtu përballet me burgim të përjetshëm për akuza të tjera shtetërore.

Videoja e incidentit të shfaqur gjatë gjyqit tregon DePape, një shtetas kanadez i cili ka jetuar në SHBA për dy dekada, duke hyrë në shtëpinë e Pelosit në Kaliforni i armatosur me një çekiç më 28 tetor 2022. DePape kërkoi Pelosin, e cila nuk ishte në shtëpi, kur u përball me bashkëshortin e ligjvënëses brenda shtëpisë së tyre.

Top Channel