Izraeli injoron paralajmërimet e ndërkombëtarëve, ministri i Mbrojtjes: Do të shtojmë forcat ushtarake në zonën Rafah

16/05/2024 16:48
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant

Pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA për ndalimin e furnizmit me bomba, Izraeli duket se nuk ka në plan të heqë dorë nga një operacion ushtarak në zonën Rafah të Gazës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant u shpreh se në operacionin tokësor në Rafah do të marrin pjesë forca shtesë. Në deklaratën e bërë të mërkurën, Gallant u shpreh se vendimi për shtimin e trupave ushtarake vjen pas një rivlerësimi të bërë në fushën e betejës.

“Ky operacion do të vazhdojë me forca shtesë që do të hyjnë në zonë. Disa tunele në zonë janë shkatërruar nga forcat tona dhe të tjera tunele do të shkatërrohen së shpejti,” tha Gallant.

Ai tha se do të ketë një ritëm akoma më të madh të sulmeve gjatë këtij operacioni ushtarak duke u shprehur i bindur se Hamasit nuk mund të rigjenerojë forcat.

“Ky operacion do të intensifikohet dhe Hamasi nuk është një organizatë që mund të rigjenerojë veten tani, nuk ka rezerva, nuk ka aftësi për të prodhuar armë, nuk ka furnizime, nuk ka municione, nuk ka aftësi të trajtojë siç duhet terroristët që janë të plagosur”, shtoi Gallant.

Izraeli filloi një ofensivë ushtarake në dhe rreth qytetit jugor të Gazës, Rafah, më 6 maj. Mbi një milion palestinezë ishin strehuar atje pasi ishin detyruar të largoheshin nga pjesë të tjera të zonës së rrethuar.

Top Channel