Një ngjarje e rëndë ka tronditur Durrësin këtë mëngjes, ku një baba kishte marrë peng dy fëmijët e tij në një shtëpi me qira.
Kur forcat RENEA shkuan për të shpëtuar fëmijët e mitur, ai qëlloi drejt tyre me kallashnikov. Pas disa orës negociata, RENEA dhe policia arritën të nxirrnin fëmijët nga shtëpia, ndërsa babai 40-vjeçar Aleks Marku u vu nën prangat e policisë.
Paraprakisht dyshohet se ky akt është kryer pasi ka qenë nën efektin e drogës dhe po hetohen të gjithë elementet e deritanishme për të zbardhur motivin e marrjes peng të fëmijëve të tij të mitur dhe kundërpërgjigjes me armë ndaj policisë.
Konfliktet brenda familjes dhe largimi i gruas jashtë vendit është pista kryesore që po vlerësohet nga grupi hetimor për ngjarjen e rëndë në Durrës.
Sipas korrespondentes së Top Channel Vali Qyrfyçi, Marku ka ushtruar dhunë në familje dhe se gruaja e tij ka pasur urdhër mbrojtje nga policia e Lezhës.
Sipas policisë, rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga 40-vjeçari, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda ai mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.
Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.
Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.
Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e tij.
Në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.
Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë. 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.
Nga deklarimet e para të 40-vjeçarit Aleks Marku pas arrestimit nga policia rezulton se ndjehej nën kërcënim dhe i kishte marrë peng fëmijët për t’i mbrojtur.
Top Channel