Dëshmitari kyç i prokurorisë, Michael Cohen sot në gjyqin kundër ish-presidentit Trump

13/05/2024 16:49

Ish-avokati i Donald Trump-it, Michael Cohen, filloi të japë sot dëshminë, mbi të cilën juria mund të përcaktojë nëse do ta shpallë fajtor, apo të pafajshëm ish-presidentin amerikan.

Trump akuzohet se ka fshehur në mënyrë të paligjshme një pagesë bërë aktores së filmave pornografike Stormy Daniels, e cila pretendon se ka patur një marrëdhënie seksuale me të. Trump e ka mohuar të ketë patur lidhje me Daniels.

Për rreth një dekadë, 57 vjeçari Michael Cohen, ka punuar si drejtues ekzekutiv dhe avokat në kompaninë e pasurive të patundshme të Trump me bazë në Nju Jork. Ai njihej si njeri besnik i tij dhe një një rast ai ka deklaruar se ishte i gati “të merrte dhe plumbin” për Trump.

Ish-avokati personal i Trump, që nga momenti që ky i fundit mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2017, u nda me të, kur prokurorët federalë nisën të hetojnë fushatën presidenciale të Trump në vitin 2016. Prej atij momenti Cohen u kthye në një nga kritikët më të hapur të Trump.

Të premten, gjykatësi Juan Merchan u kërkoi prokurorëve që t’i kërkojnë Cohen të ndalë deklaratat publike në lidhje me çështjen, pas kërkesës së avokatit mbrojtës të Trump, Todd Blanche, i cili u ankua se Cohen, kishte folur në mediat sociale ndërsa mbante veshur një bluzë ku Trump shfaqej pas hekurave.

Në qendër të gjyqit që nisi më 15 prill në Manhatan është shuma prej 130,000 dollarësh, me të cilën Cohen pagoi Daniels, për të siguruar heshtjen e saj për një marrëdhënie të dyshuar seksuale me Trump.

Prokurorët thonë se Trump, e rimbursoi më pas Cohen dhe në mënyrë të paligjshme i regjistroi pagesat si shpenzime ligjore të kompanisë së tij.

Sipas akuzës të dhënat e ndryshuara të biznesit mbuluan shkeljen e ligjit zgjedhor dhe të ligjeve të shtetit të Nju Jorkut për taksat. Ndaj ish-presidentit rëndojnë 34 akuza, që nga ato për kundërvajtje, e deri në vepra penale të dënueshme me deri katër vjet heqje e lirie.

Trump është deklaruar i pafajshëm dhe mohon të ketë patur marrëdhënie seksuale me Daniels. Ai e quan çështjen ndaj tij, një përpjekje të motivuar politikisht për ta penguar atë ndërsa rikandidon për Shtëpinë e Bardhë.

Në një tubim politik në Nju Xhersi të shtunën në mbrëmje ai e cilësoi prokurorin e çështjes Alvin Bragg, një njeri të korruptuar.

Prokurorët thonë se pagesa për Daniels ishte pjesë e një skeme të paligjshme për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016, duke blerë heshtjen e atyre personave, që mund të kishin informacione të dëmshme për Trump. Por avokatët e ish-presidentit thonë se pagesa për Daniels ishte bërë për t’i kursyer atij një siklet me familjen e tij.

Në vitin 2018 Cohen u deklarua fajtor për shkelje të ligjit federal mbi financimin e fushatës, lidhur me pagesën për Daniels. Ai ka dëshmuar se ishte Trump ai që e kishte udhëzuar atë ta paguante ish-aktoren e filmave për të rritur. Por prokurorët e asaj çështjeje federale, nuk ngritën akuza ndaj Trump, për kryerje të ndonjë shkeljeje penale.

Gjatë procesit gjyqësor avokatët mbrojtës të Trump kanë goditur besueshmërinë e Cohen, duke e paraqitur atë si një gënjeshtar dhe një njeri të cilit nuk mund t’i besohet. Mbrojtja thotë se Cohen e pagoi vetë Daniels dhe se klienti i tyre nuk ka të bëjë me pagesat që janë në qendër të këtij procesi gjyqësor.

Cohen ka pranuar se ka gënjyer nën betim disa herë, duke i dhënë mundësi mbrotjes së Trump, ta përdorë këtë fakt për për të minuar besueshmërinë e tij.

Ai ka pranuar se në vitin 2017 ka gënjyer Kongresin për një projekt në fushën e pasurive të paluajtshme të organizatës Trump në Moskë, që më vonë tha se e kishte bërë për të mbrojtur Trump.

Ai gjithashtu është deklaruar fajtor për shkeljen e ligjit mbi taksat në vitin 2018, por tashmë thotë se nuk e ka kryer atë krim./VOA

Top Channel