Sulm me raketa në rajonin rus Belgorod, shembet ndërtesa 10-katëshe, Moska: Shtatë të vrarë dhe 15 të plagosur

12/05/2024 16:06

Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur nga shembja e një pjese të një ndërtese shumëkatëshe banimi, si pasojë e një sulmi raketor ukrainas në qytetin kufitar të Rusisë, Belgorod, thanë zyrtarët rusë të dielën.

Pamje nga vendi i ngjarjes – të postuara nga guvernatori i këtij rajoni në kufi me Ukrainën, Vyacheslav Gladkov – shfaqën shembjen e së paku 10 kateve të ndërtesës.

“Qyteti i Belgorodit dhe rajoni i Belgorodit u bombarduan nga Forcat e Armatosura të Ukrainës”, tha Gladkov.

“Si pasojë e goditjes direkte nga një predhë në një ndërtesë banimi, e tërë hyrja nga kati i dhjetë deri te i pari, u shemb”, shtoi ai.

Kanali rus i lajmeve në Telegram, Mash, raportoi se së paku shtatë njerëz u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën.

Një dëshmitar rasti tha se shumë ambulanca dhe automjete zjarrfikësish u panë në vendin e ngjarjes.

“Një pjesë e tërë e një ndërtesë 10-kateshe u shemb. I pashë disa viktima”, tha dëshmitari për Reuters në kushte anonime.

Më herët të dielën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kundërajrorët e saj i rrëzuan dy raketa balistike të epokës sovjetike që forcat ukrainase i kishin shkrepur mbi rajonin Belgorod gjatë natës.

Qytetet në pjesën perëndimore të Rusisë janë përballur me sulme të vazhdueshme me dronë prej majit 2023. Për këto sulme, zyrtarët rusë e kanë fajësuar Kievin.

Zyrtarët ukrainas nuk marrin asnjëherë përgjegjësi për sulme në territorin rus, apo në Gadishullin e uzurpuar të Krimesë.

Rajoni i Belgorodit në veçanti ka qenë cak i sulmeve të mëdha. Në dhjetor 2023 u vranë 25 njerëz nga një sulm në qendër të qytetit Belgorod./ REL

Top Channel